Gazetari Lirim Mehmetaj në një intervistë në emisionin FRONTAL të T7 të hënën ka thënë se ministri i Bujqësisë, Armend Muja, pasi është bërë ministër, e ka bërë edhe gruan e tij drejtoreshë në Ministri të Tregtisë.
“Veç sot e publikum, Armend Muja që u bo ministër, e ka bo grunë drejtoresh në Ministri”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka dërguar në adresën e Gazetës Expres dhe T7 reagimin e tij duke thënë se deklarimet e gazetarit Mehmetaj janë pretendime të vjetra dhe gjë e pavërtetë.
Muja në reagim ka thënë se gruaje e tij punon në shërbim civil që nga viti 2014, dhe se deklarime e raportime për punësimin e saj ka pasur edhe në vitin 2020, kur s’ka qenë pjesë e politikës.
“Dje u përsërit një pretendim i vjetër, i pavërtetë: se “Armend Muja e ka bërë gruan e tij drejtoreshë”. Kjo është shpifje.Faktet janë të thjeshta dhe të verifikueshme: bashkëshortja ime është në shërbim civil që nga viti 2014, përmes programit të Bashkimit Evropian “Young Cell Scheme”, shumë përpara çdo angazhimi tim politik. Ajo është Drejtore Divizioni që nga viti 2018 dhe vetëm në raste të caktuara, sipas ligjit, ka ushtruar përkohësisht detyrën e u.d. Drejtorit të Departamentit kur pozita ka qenë vakante. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ana ime”, ka shkruar Muja në reagim.
“Narrativa që lidhet me “momentum politik” apo me “rritje të standardit të jetesës” nuk ka asnjë bazë faktike – është një përpjekje e qëllimshme për të krijuar perceptim të rremë dhe për të njollosur reputacionin tim përmes familjes sime.Këto akuza nuk janë të reja. Janë ngritur edhe në vitin 2020, kur nuk kam qenë pjesë e politikës. Sot po riciklohen me të njëjtin qëllim: dezinformiminE kuptoj interesin publik për zyrtarët, por ai nuk e justifikon shpifjen dhe shkeljen e standardeve minimale të gazetarisë. Ftoj këdo që ka dyshime ta verifikojë këtë çështje – e vërteta është e njëjtë dhe e qartë”, ka thënë Muja tutje.
Ai ka thënë se nuk ndërhyn në karrierën e gruas së tij, duke paralajmëruar veprime ligjor nëse vzhdojnë pretendimet.
“Si parim, nuk ndërhyj në karrierën e bashkëshortes sime dhe nuk kam lejuar që ajo të përfitojë nga pozita ime publike.Shpifjet kanë pasoja. Nëse këto pretendime vazhdojnë, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore të nevojshme”, ka përfunduar Muja.







