Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka publikuar listën përfundimtare prej 26 futbollistësh për Kupën e Botës 2026, me Lionel Messin që do të mbajë sërish shiritin e kapitenit në mbrojtje të titullit botëror.
Pavarësisht shqetësimeve për një lëndim në kofshën e majtë, Messi është përfshirë në listën finale dhe pritet të udhëheqë skuadrën e kampionëve në fuqi gjatë turneut më të madh të futbollit botëror.
Për yllin argjentinas, kjo do të jetë paraqitja e gjashtë në Kupën e Botës, duke vazhduar të shkruajë histori me fanellën e Argjentinës. Sulmuesi, i cili muajin e ardhshëm mbush 39 vjeç, mbetet figura kryesore e skuadrës së Scalonit.
Lista e publikuar përfshin shumicën e lojtarëve që triumfuan në Katar 2022, por nuk mungojnë as disa emra të rinj që kanë bindur me paraqitjet e tyre gjatë eliminatoreve dhe ndeshjeve miqësore.
Megjithatë, trajneri ka lënë jashtë disa emra të njohur. Mungesat më të komentuara janë talenti i Real Madridit, Franco Mastantuono, si dhe mesfushori i Real Betisit, Giovani Lo Celso.





