Përgatiti: Nora Luta
Nga 18 vjet sa e kishte dënuar Gjykata Themelore e Mitrovicës, Marko Bigoviqin për vrasjen e babait dhe vëllait të tij, Apeli ia ka rritur dënimin në 28 vjet.
Apeli nuk ia ka falur besimin ekspertizës të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, I cili kishte konstatuar se Bigoviq ka probleme mendore, duke ia larguar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Por lënda i është kthyer për shqyrtim Gjykatës së shkallës së dytë nga Gjykata Supreme, e cila ia ka numëruar një varg shkeljesh Apelit, ndër të tjera se ka gabuar kur e ka marrë rolin e ekspertit. Sipas Supremes, çdo ndërhyrje në këtë drejtim mund të çojë në arbitrarizëm gjatë vendosjes.
“Gjykata e Apelit, në rast se vlerëson se është e nevojshme që për shkak të
dilemës lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ka mundur të hapë shqyrtim dhe të marrë prova të reja apo të urdhërojë ekspertizë të re nga grupi i ekspertëve të fushës përkatëse, por jo të merr vet rolin e ekspertit, pasi që gjykata nuk ka ekspertizën e duhur në këtë fushë”, thuhet nw vendimin e Supremes.
Mbrojtja pret që në rivendosje, Apeli t’i marrë parasysh vërejtjet e Supremes, derisa sipas tyre të dënuarit nuk i është ndërprerë trajtimi mjekësor.
Nga Qendra për Ndihmë Ligjore “Clard”, thonë se ekspertizat në rastet e vrasjeve të rënda duhet të merren si rrethana lehtësuese.
Supremja në këtë vendim ka theksuar se Apeli i ka tejkaluar kompetencat e veta edhe duke i shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 28 vjet, duke mos e arsyetuar me fakte vendimtare lartësinë e dënimit.
Bigoviq në vitin 2022, i kishte vrarë babanë dhe vëllain e tij binjak brenda shtëpisë së tyre në Mitrovicë të Veriut. Ndërsa pas procesit gjyqësor, gjatë të cilit përveç ekspertizës, ishin dëgjuar edhe dëshmitarë për gjendjen e tij psikike, Gjykata e kishte dënuar me 18 vjet burgim./atvlive.tv/