Përgatiti: Arian Hajdaraj
Për shkak të sulmeve me armë zjarri në drejtim të policisë, nevoja për ndërtimin e një stacioni policor në Zubin Potok, ishte konsideruar urgjente.
Me po kaq nxitim u kryen edhe shpronësimet, andaj në tetor të 2023-ës edhe nisën procedurat e prokurimit. Por, pa kaluar as 5 muaj nga përgatitja e terrenit, tenderi është anuluar.
Derisa i riu nuk ndërtohet, policëve si stacion do t’u shërbejnë këta kontejnerë.
“Puna në kontejnerë na penalizon pak. Por do vazhdojmë të angazhohemi njësojë derisa të ndërtohet i riu. Shpresoj se nuk do ketë vonesa”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.
Sipas njoftimit, tenderi u anulua për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore të prokurimit. Megjithatë, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se mund të ketë ndikuar edhe deklarimi i emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se shpronësimet në veri me qëllim të ndërtimit të stacioneve policore janë çështje në anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Komisioni për Politikë dhe Demokraci do ta shqyrtojë më 27 mars aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili pritet ta votojë raportin për Kosovën. Nëse merr dy të tretat e votave të këtij Komisioni, raporti i dërgohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.