Bota e boksit po përgatitet për një duel të madh këtë verë, ku boksieri britanik Anthony Joshua do të përballet me shqiptarin Kristian Prenga, në një meç që tashmë ka nisur të marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Kjo do të jetë përballja e parë e Joshuas pas rikthimit në stërvitje, në një periudhë tejet të vështirë personale për të, pas një aksidenti tragjik me makinë në muajin dhjetor, ku humbi dy miq të tij të ngushtë. Britaniku pritet të hyjë në ring me motivim të lartë, duke kërkuar t’ua dedikojë fitoren atyre që nuk janë më.
Meçi ndaj Prengës është pjesë e një marrëveshjeje të re me disa ndeshje, që shënon një kapitull të ri në karrierën e ish-kampionit të botës. Nëse ai del fitues, mediat sportive raportojnë se një super përballje e shumëpritur me Tyson Fury mund të jetë shumë afër realizimit.
Në letër, Joshua shihet si favorit, duke marrë parasysh përvojën e tij në nivelet më të larta të boksit dhe përballjet me emra të mëdhenj si Andy Ruiz Jr. dhe Oleksandr Usyk, ndaj të cilëve ka zhvilluar duele historike.
Megjithatë, Prenga nuk duhet nënvlerësuar. Boksieri shqiptar ka një fizik të fortë, me gjatësi 1.88 metra dhe një rekord profesional mbresëlënës prej 20 fitoreve dhe vetëm 1 humbjeje, duke e bërë atë një kundërshtar të rrezikshëm në ring.
Vetë Joshua ka folur për këtë rikthim, duke theksuar se ka marrë kohë për t’u rikuperuar fizikisht dhe mendërisht dhe se tani ndihet gati për një kapitull të ri në karrierën e tij. Ai ka konfirmuar gjithashtu marrëveshjen për disa ndeshje, duke nisur nga 25 korriku në Arabinë Saudite, ku pritet të rikthehet fuqishëm në skenën e madhe të boksit.
Britaniku e ka përshkruar këtë fazë si një “rikthim në rrugën e duhur”, duke lënë të kuptohet se synimi i tij mbetet rikthimi në majat e boksit botëror.






