Një sondazh zbuloi se 85% e grenlandezëve nuk duan që ishulli i tyre, një territor gjysmë autonom danez, të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, me pothuajse gjysma që e shohin interesin e presidentit Donald Trump si një kërcënim.
Trump tha në fillim të këtij muaji se Grenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së dhe se Danimarka duhet të heqë dorë nga kontrolli i ishullit.
Një sondazh nga agjencia Verian, me kërkesë të gazetës daneze Berlingske dhe gazetës grenlandeze Sermitsiaq, tregoi se vetëm 6% e grenlandezëve mbështesin idenë që ishulli të bëhet pjesë e SHBA-së, ndërsa 9% ishin të pavendosur.
Sondazhi zbuloi se 45% e konsideronin interesin e Trump në Grenlandë një kërcënim, ndërsa 43% e panë atë si një mundësi dhe 13% ishin të pavendosur.
Grenlanda gëzon shumë nga të njëjtat përfitime sociale si Danimarka, të tilla si kujdesi shëndetësor universal dhe arsimi falas. Vetëm 8% e të anketuarve thanë se do të ishin të gatshëm të ndryshonin shtetësinë e tyre daneze në amerikane, 55% thanë se do të preferonin të mbeten shtetas danezë dhe 37% ishin të pavendosur.
Grenlanda, e cila ka sipërfaqe më të madhe se Meksika dhe një popullsi prej 57 mijë banorësh, ka autonomi të gjerë, duke përfshirë të drejtën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka përmes një referendumi.
Kryeministri i Grenlandës Mute Egede, ka përsëritur disa herë se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit të tij të vendosë për të ardhmen e tij.