Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka vënë në pah rëndësinë e Mohamed Salah pas fitores 2-0 ndaj Brighton & Hove Albion në Premier League, të shtunën në “Anfield”, duke shprehur shpresën që sulmuesi egjiptian të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe pas Kupës së Kombeve të Afrikës.
Salah u rikthye në skuadër të shtunën, pas një jave të tensionuar, gjatë së cilës kritikat e tij publike ndaj klubit kishin ngritur pikëpyetje për të ardhmen e tij në “Anfield”.
33-vjeçari u aktivizua në minutën e 26-të, duke zëvendësuar Joe Gomezin e dëmtuar dhe u prit me duartrokitje të fuqishme nga tifozët. Rikthimi i tij u shoqërua me një kontribut të menjëhershëm, pasi asistoi në golin e dytë të shënuar nga Hugo Ekitike.
“Mo do të shkojë në AFCON dhe të gjithë shpresojmë që të ketë sukses atje. Presim që të rikthehet dhe të jetë shumë i rëndësishëm për ne në pjesën e mbetur të sezonit”, deklaroi Van Dijk për gazetarët pas ndeshjes.
“Më pas, sigurisht që futbolli është i paparashikueshëm dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Shpresoj që ai të qëndrojë, sepse është një nga liderët e ekipit dhe ende një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për klubin”, shtoi kapiteni holandez.
Tashmë, Mohamed Salah do t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës, e cila nis të dielën e ardhshme. /ATVLIVE.TV






