Anëtari i ekipit të shpëtimit: Minatorët e ngujuar janë mirë, njëri pati pak shqetësime, po presim urdhrin nëse duhet të intervenojmë

18 minatorë janë ende të ngujuar në minierën e Trepçës në Mitrovicë.

Një ekip i shpëtimit është përgatitur dhe është në gjendje gatishmërie për të reaguar, tha një prej pjesëtarëve.

Para mediave, ai tha se minatorët janë “diku rreth 760 metra nën tokë varësisht prej “nivelit të horizonteve” ku kanë qenë duke punuar.

“Deri tash, gjendja është e qetë, është stabile. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me minatorët të cilët janë të mbyllur për shkak të defektit me energji elektrike. Menaxhmenti i ka marrë masat e duhura”, tha ai.

Ekipe të KEDS-it dhe kompani të tjera, përfshirë kompani private, ai tha se kanë shprehur gatishmërinë për t’u dalë në ndihmë.

“Normalisht menaxhmenti e ka thirrë edhe ekipin e shpëtimit i cili është në gjendje gatishmërie. Në momentin që e sheh të arsyeshme që duhet me u futë në minierë”, tha ai, duke shtuar se ekipi “është i furnizuar me gjëra ushqimore, me barna, për t’u dalë në ndihmë minatorëve sipas nevojës”.

Deri tani, ai tha se vetëm njëri prej minatorëve ka pasur disa shqetësime “të vogla”.

“Deri tash nuk është që kemi shqetësime shumë të mëdha, përveç disa shqetësimeve të vogla të një minatori i cili është më i ri pak, veç sa e ka filluar punën dhe nuk është shumë i informuar mirë me rrethanat aktuale apo problemet që janë”, tha ai.

Ekipi i shpëtimit është “në gjendje gatishmërie” dhe po pret “vetëm urdhrin”, theksoi ai.

Ndërmarrja Trepça njoftoi se rreth orës 01:30 të ditës së sotme ka ndodhur ndërprerje e furnizimit me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg.

“Në momentin e paraqitjes së defektit, në minierë kanë qenë të angazhuar gjithsej 47 punëtorë të ndërrimit të tretë, të cilët kanë hyrë në punë më datë 13.05.2026 në ora 23:00: 29 punëtorë kanë dalë nga miniera; 18 punëtorë ndodhen ende në minierë”, thuhet në njoftim.

Pjesa e punëtorëve që kanë mbetur të ngujuar, “pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh”, sipas njoftimit të ndërmarrjes, të publikuar në orën 11:00.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA