Carlo Ancelotti ka shuar çdo dyshim rreth së ardhmes së Neymarit në Kombëtaren e Brazilit, duke konfirmuar se sulmuesi veteran do të jetë pjesë e “Seleçaos” për Kupën e Botës 2026.
Rikthimi i Neymarit ka qenë një nga temat më të përfolura në futbollin brazilian, sidomos pas periudhës së gjatë të vështirë që lojtari kaloi për shkak të lëndimeve dhe mungesës nga fushat e lojës.
Sulmuesi 34-vjeçar i Santos rikthehet në ekipin kombëtar për herë të parë që nga viti 2023, pasi për muaj të tërë u përball me probleme fizike që vunë në pikëpyetje vazhdimësinë e tij në nivelin më të lartë.
Megjithatë, trajneri italian Carlo Ancelotti ka vendosur t’i besojë përvojës dhe cilësisë së njërit prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë moderne të Brazilit.
“Neymar do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne në Kupën e Botës. Gjatë gjithë vitit kemi ndjekur me kujdes gjendjen e tij dhe kemi parë progres të madh. Kohët e fundit ka treguar vazhdimësi në paraqitje dhe një formë fizike shumë të mirë”, deklaroi Ancelotti në konferencën për media.
Përfshirja e Neymarit konsiderohet si një nga vendimet më të rëndësishme të teknikut italian para nisjes së Botërorit, me Brazilin që synon t’i rikthehet lavdisë botërore dhe të fitojë trofeun e shumëpritur në vitin 2026.
Me eksperiencën, kreativitetin dhe lidershipin e tij, Neymar pritet të ketë një rol kyç në skuadrën braziliane, e cila po ndërtohet nga Ancelotti për të rikthyer “Seleçaon” në majën e futbollit botëror.





