Analizat autoimune të cilat janë kryer vetëm në institucionet private, tani do të kryhen edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Këto analiza bëhen në momentin kur sistemi imun i pacientit fillon t’i luftojë qelizat e shëndetshme të cilat vlerësohet se janë të shprehura kohëve të fundit.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë në (QKUK), Shemsi Veseli, ka thënë se kërkesat për to janë të mëdha.
“Është për herë të parë pas luftës që në sektorin publik në QKUK, po bëhen analizat autoimune. Janë analiza mjaftë specifike, shumë të kërkuara dhe kanë një kosto të lartë sinqerisht për qytetarët”, tha drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli.
Pacientët të cilët janë detyruar t’i bëjnë këto analiza në laborator privat thonë se ky është një hap i duhur.
“Kjo është një gjë pozitive shpresojmë që tash kem mi kry ktu. Se kur s’ka pas këtu u dasht me shku nëpër private”, thotë një pacient.
“Është shumë hap i mirë, mendoj se sektori privat është plotësim por nuk është i domosdoshëm. Në të shtetit është më mirë që t’i bëjmë”, tha Alie Sylejmani, paciente.
Mimoza Buzhala, e cila punon si laborante në klinikë, tregon se për një kohë të shkurtër kanë kryer 1000 analiza autoimune.
“Analizat autoimune nëse bëhen në privat janë analiza që kushtojnë shtrenjtë. Ne për pacienta jemi duke i ofruar falas, mostrat për disa ditë i mbledhim dhe ruhen më pas brenda një dite i nxjerrim rezultatet”, tha Mimozë Buzhala, laborante.
Menaxhmenti i klinikës, ka bërë të ditur se janë të furnizuar me aparatura adekuate për të kryer këto lloj analiza. Ndërkohë që në klinikë vazhdon të ketë mungesë të teknikëve, pasi që janë vetëm 13 teknikë laboratori. /atvlive.tv