Natalija Grbiq, nga shoqëria civile në Serbi ka kritikuar protestuesit serbë në veri të Kosovës se po e përkrahin fashizmin rus.
“Serbët e Kosovës kanë shkruar shkronjën ‘Z’ në veturën e ShBA-ve. Përsëri në botë kemi dërguar fotografi se po e përkrahim fashizmin rus”, ka shkruar Grbiq, transmeton KosovaPress.
Nga protestues serbë të komunave veriore, sot janë dëmtuar disa automjete të Policisë së Kosovës, e disa janë ngjyrosur me ngjyrë duke shënuar në to katër “C”, ndërsa në disa vetura të KFOR-it është shënuar shkronja “Z”, simbol i ushtrisë pushtuese ruse në Ukrainë.
Po ashtu, në mesin e protestuesve serbë sot janë parë edhe persona të maskuar e për të cilët eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se mund të ketë të gatshëm edhe për sulme terroriste.
Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjestërave të institucionit të sigurisë së Kosovës.
Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë.