Manchester United ka konfirmuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit Ruben Amorim.
Largimi i tij vjen pas rezultateve jo të kënaqshme dhe një konference për shtyp që Amorim mbajti dje, pas barazimit 1-1 me Leeds United në “Elland Road”. Në konferencë, portugezi deklaroi se kishte ardhur tek Unitedi për të qenë një menaxher i plotë, jo vetëm trajner i skuadrës.
Megjithatë, shkarkimi duket se nuk e ka shqetësuar 40 vjecarin, i cili është parë sot duke ecur buzëqeshur me gruan e tij në rrugët e Manchesterit. Buzëqeshja mund të lidhet me faktin se ai pritet të përfitojë mbi 11 milionë euro, pasi klubi do t’ia kompensojë të gjithë kontratën e tij deri në qershor 2027.
Portugezi u emërua trajner i United në nëntor 2024, me “Djajtë e Kuq” që paguan 10.6 milionë euro te Sportingu si klauzolë lirimi. Për krahasim, në tetor 2024, ekipi anglez kishte paguar 16.7 milionë euro dëmshpërblim pas shkarkimit të Erik ten Hag.
United ka bërë të ditur gjithashtu se ish-mesfushori Darren Fletcher do të udhëheqë skuadrën në ndeshjen ndaj Burnley më 7 janar në “Turf Moor”. /ATVLIVE.TV






