Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se anulimi i konferencës për media e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, pas presionit të veteranëve të UÇK-së, ngreh shqetësime të mëdha.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës dhe informimi i publikut është një shtyllë thelbësore mbi mandatin e saj. Anulimi i konferencës për media pas presionit nga veteranët e UÇK-së ngre shqetësime të mëdha. Autoritetet duhet të sigurojnë që gjykata të mund ta kryejë punën e saj pa pengesa”, shkroi në platformën e tij në “Bluesky”, ambasadori Rohde.
Një ditë më parë, një grup veteranësh të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë protestuar kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Kosovë.
Më pas, Trendafilova anuloi konferencën, siç u kumtua, për shkaqe sigurie.