Ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, para studentëve të AAB-së: Tani kemi rol mbështetës në konsolidimin e institucioneve

Shefi i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë për Kosovë, ambasadori Michael Davenport, vizitoi Kolegjin AAB.

I shoqëruar nga dekani i Fakultetit Juridik, Veton Vula, ambasadori i OSBE-së, Davenport, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të juridikut, shkencave politike, administratës publike dhe të tjera drejtimesh.

Ambasadori u shpjegoi studentëve për misionin e OSBE-së dhe rolin mbështetës për institucionet e sigurisë, drejtësisë, komunat, komunitetet dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të kaluarën.

“OSBE-ja gjithmonë ka luajtur rol mbështetës këtu. Puna e vërtetë është bërë nga ata në Kosovë, që ishin të vendosur të ndërtonin këto institucione me mbështetjen e OSBE-së. Cili është roli tani? Policia është tani, gjykatat janë. Përgjigjja është, tani ka të bëjë me konsolidimin e institucioneve”, tha Davenport.

Ai lavdëroi punën dhe avancimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Avokatit të Popullit, teksa përmendi edhe sfidat dhe rolin në zgjidhjen e tyre – me theks ato në sistemin e drejtësisë.

“KPK-ja, KGJ-ja dhe Ministria e Drejtësisë bënë një deklaratë të përbashkët për forcimin e drejtësisë, trajnimet, vlerësimin profesional. Vërtetë e mirëpres këtë, sepse kemi pasur një periudhë shumë të vështirë, praktikisht kishim bojkot të Qeverisë nga gjyqësori lidhur me pagat. Ne ishim të përfshirë në diskutimet për këtë deklaratë dhe miratimin e saj”, theksoi Davenport.

Dekani Veton Vula e vlerësoi lart bashkëpunimin e OSBE-së me kolegjin AAB dhe paralajmëroi projekte tjera të përbashkëta.

“Vitin e kaluar, kishim disa takime dhe konferenca ndërmjet OSBE-së dhe kolegjit tonë për të drejtat e njeriut dhe religjionin. Këtu ishin të gjithë përfaqësuesit e religjioneve në Kosovë. Ne do të vazhdojmë edhe në nëntor dhe dhjetor, sepse në dhjetor e kemi ditën e të drejtave të njeriut”, tha Vula.

Diplomati britanik, i cili në të kaluarën ka shërbyer si ambasador i Britanisë së Madhe, por edhe Shef i BE-së në Serbi, u përgjigj në pyetjet e studentëve për sfidat e misionit në Kosovë dhe përvojat nga e kaluara.

Ambasadori Davenport ishte i interesuar në pikëpamjet e studentëve për ndikimin e liberalizimit të vizave në të ardhmen e tyre.

Shumica e studentëve thanë se liberalizimi i vizave krijon mundësi më të mira për zhvillimin profesional dhe personal, përmes studimeve jashtë vendit, por theksuan se preferojnë kthimin për të dhënë kontribut në Kosovë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA