Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, ka bërë bujë në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje ku shfaqet duke bërë pompa së bashku me trupat amerikane në Gjenevë. Në përshkrimin e videos, ai shkruan shkurt: “I gatshëm për detyrë”.
Përveç momentit sportiv, Waltz bëri të ditur se SHBA do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Kombet e Bashkuara për reforma të nevojshme brenda organizatës. Ai gjithashtu përsëriti se një pagesë paraprake nga Uashingtoni për OKB-në pritet të bëhet brenda disa javësh.
SHBA vazhdon të jetë kontribuesi më i madh në buxhetin e OKB-së, megjithatë, nën administratën e mëparshme të presidentit Donald Trump, vendi kishte refuzuar pagesa të detyrueshme për buxhetet e rregullta dhe paqeruajtëse, si dhe kishte reduktuar fondet vullnetare për agjencitë e OKB-së.
Duke folur nga Gjeneva, Waltz nuk dha shifra të sakta për shumën që do të paguajë SHBA-ja, por theksoi se vendi i tij do të përmbushë detyrimet financiare, ndërsa njëkohësisht do të vazhdojë të ushtrojë presion për reforma në organizatë.
Ambasadori amerikan ndodhet në një vizitë dy-ditore në Gjenevë, ku do të takohet me zyrtarë të ndryshëm të OKB-së, përfshirë edhe ata të Agjencisë së Refugjatëve, UNHCR, e cila aktualisht po përballet me shkurtimet më të mëdha buxhetore në historinë e saj.
U.S. Mission Geneva – Marine Security Detachment – fit for duty! Semper Fi 🇺🇸 pic.twitter.com/QLIMUiOB60
— Ambassador Mike Waltz (@michaelgwaltz) February 11, 2026





