Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje nga takimi i parë me shefen e re të diplomacisë evropiane Kaja Kallas sot në Bruksel.
Gjatë bisedës u diskutua për progresin e Kosovës, bashkëpunimin rajonal, sigurinë, por edhe heqjen e masave ndëshkuese.
Kurti tha se Kosova është në linjë të plotë me politikën e jashtme të BE-së ku deri në fund 2023 ka zbatuar 72% të Agjendës së Reformës Evropiane dhe vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka dorëzuar në BE Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes.
“Kosova ka shënuar progres të madh ekonomik dhe demokratik, dhe se është palë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik në rajon sipas rregullave dhe standardeve të BE-së”, tha ai.
Kurti kërkoi nga Kallas, largimin e masave ndëshkuese dhe theksoi rëndësinë e pranimit të pyetësorit për anëtarësim në BE duke thënë se integrimi në familjen e madhe evropiane dhe NATO është alternativa e vetme për Kosovën.
Në takim, kryeministri Kurti ka folur edhe mbi sulmin terrorist në Banjska më 23 shtator 2023 dhe kanalin e ujit “Ibër-Lepenc” më 29 nëntor 2024.
Ai tha se në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe.
Duke folur mbi procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kryeministri Kurti foli për marrëveshjen e arritur bazike, duke thënë se nënshkrimi i saj është garanci për zbatim, pasi Serbia vazhdimisht po e shkel si dokument.
Ndryshe, gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Kurti do të merr pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor nga presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin paraprakisht do të zhvillojë një takim bilateral.