Narges Mohammadi e ka fituar këtë vit Çmimin Nobel për paqe për luftën e saj për pavarësinë e grave në Iran.
Ajo aktualisht është në burg për shkak të aktivitetit të saj për ta luftuar shtypjen e grave në Iran.
“Komitet Norvegjez i Nobelit ka vendosur ta shpërblejë me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023, Narges Mohammadin, për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe për luftën e saj për t’i promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”, është thënë në shpallje të vendimit.
Mohammadi, 51-vjeçare, është një prej aktivisteve kyçe për të drejta të njeriut në Iran, e cila ka bërë fushatë për të drejta të grave dhe pezullim të vendimit me vdekje.
Ajo është aktualisht duke vuajtur disa dënime në burgun Evin në Teheran dhe akuzohet për përhapje të propagandës kundër shtetit.
Burri i saj, po ashtu aktivist, jeton jashtë shtetit me dy fëmijët e tyre.
Pamjet e grave duke protestuar nëpër rrugët e Iranit, duke e djegur shamitë e kokës, dhe duke bërtitur “Gratë, Jetë, Liri”, janë shpërndarë në gjithë botën.
Mohammadi është zëvendës-udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtje të të Drejtave të Njeriut, një organizatë joqeveritare e udhëhequr nga Shirin Ebadi, laureate për Çmimin Nobel për paqe më 2003.
Protestat kundër Qeverisë së Iranit janë nxitur pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, sa ka qenë në mbajtje policore, për shkak se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.
Autoritetet e kanë shtypur më pas protestën, duke lënë qindra njerëz të vdekur.
Fushata e Mohammadit për liri të shprehjes dhe liri të grave e ka nxitur regjimin e Iranit që ta arrestojë atë 13 herë, që ta dënojë pesë herë, dhe ta dënojë më 31 vjet burgim.
Komiteti Norvegjez i Nobelit i ka pranuar këtë vit 351 aplikime – 258 për individë dhe 92 për organizata.
Lista e plotë mbahet sekrete për 50 vjet.
Mohammadi është gruaja e 19-të që e fiton këtë çmim 122-vjeçar. /rel