Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special kundër L.D., i cili ngarkohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj 2023 afër objektit të Komunës së Zveçanit.
Në njoftimin e PSRK-së, thuhet se L.D., ngarkohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas aktakuzës i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.






