Shoqatat e dala nga lufta, OVL UÇK , SHIL UÇK dhe SHFD UÇK kanë reaguar ndaj dorëzimit të një aktakuze të ndryshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, ku pretendohet për një formë të re të përgjegjësisë penale, kinse për “shtytje” në pengimin e personave zyrtarë.
“Ky veprim dëshmon qartë vazhdimin e një qasjeje të padrejtë dhe të njëanshme ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare dhe shtet-formuese të Kosovës. Përfshirja e Thaçit në një çështje që nuk ka asnjë lidhje me akuzat e mëparshme për të cilat po mbahet në paraburgim, është tregues se synimi nuk është drejtësia, por zgjatja e procesit dhe njollosja e qëllimshme e figurave që përfaqësojnë simbolin e rezistencës dhe lirisë së popullit tonë,” thuhet në reagim, raporton KosovaPress.
Shoqatat e dala nga lufta përkujtojnë se Gjykata Speciale që nga themelimi i saj, ka funksionuar si një mekanizëm politik, i cili nuk ka për qëllim ndarjen e drejtësisë, por selektimin e saj.
“Kjo gjykatë është shndërruar në një instrument të padrejtësisë ndërkombëtare, ku veprimet e saj janë shpesh të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës penale. Është e papranueshme që në emër të drejtësisë të përdoren metoda që duken më shumë si mjete presioni sesa si standarde ligjore të një gjykate ndërkombëtare. Tentimi për ta ngarkuar Thaçin me përgjegjësi për vizita të lejuara nga vetë autoritetet, gjatë kohës sa ishte në paraburgim, është i pabazë dhe politikisht i motivuar.”
Shoqatat e dala nga lufta u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të reflektojnë mbi qasjen selektive të Gjykatës Speciale dhe të ndalojnë një proces që po përdoret për të rishkruar historinë dhe për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së.
Në çështjen gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazlizt dhe Hajredin Kuçit, Zyra e Prokurorit të Specializuar, e ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar. Ndryshimet janë bërë në paragrafin 43 dhe 46 përkatësisht pikat e akuzës 1, 2 dhe 3.
Në dokumentin e publikuar thuhet se më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konfirmimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës, ku është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Nga katër pika të ankesës së ZPS-së, u pranua vetëm ajo që kishte të bënte me “përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.”
Paneli i Apelit ka marrë vendim që një nga katër pikat që kishte ngritur Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër vendimit për konfirmimin e aktakuzës ndaj Thaçit, Smakajt, Fazliut dhe Kuçit, ta pranojë lidhur me përgjegjësinë penale të Thaçit për ‘nxitje’ në kryerjen e veprës penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Pika e katërt e ankesës së ZPS-së, kishte të bënte me kundërshtimin e konstatimit të gjyqtares që neni 32 (3) i KPRK-së nuk zbatohet për veprën e “Pengim i personave zyrtarë” sipas nenit 401 (3) dhe (5) të KPRK-së.
Sipas Zyrës së Prokurorit, gjyqtarja ka gabuar kur ka konstatuar se për shkak se neni 401 pika (3) dhe pika (5) të KPRK-së nuk parashikon dënim deri në pesë vjet burgim, për rrjedhojë neni 32 pika (1) nuk është i zbatueshëm pasi sipas saj kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra që janë të dënueshme më pak se pesë vjet.
Sipas ZPS-së, gjykatësi i procedurës paraprake ka gabuar duke konstatuar se, për shkak se neni 401 (3) dhe (5) i KPK-së parashikon dënim nga një deri në pesë vjet burgim, neni 32 në pikën (3) nuk ishte i zbatueshëm, pasi kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra të dënueshme me të paktën pesë vjet burgim. Mbrojtja e Thaçit kishte thënë se gjyqtarja e ka interpretuar saktë këtë nen.
Neni 32 pika (3) i KPRK-së për “Shtytje” thotë se “Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burg dhe vepra penale as që është tentuar, shtytësi dënohet për tentativë”.
Sipas Panelit, gjyqtarja kishte konstatuar se vepra që bie në nenin 401 (3) të KPRK-së është e dënueshme nga 1-5 vjet burgim, prandaj e përjashtoi përgjegjësinë e Thaçit sipas nenit 32 (3) të KPRK-së për pikën 1, 4 dhe 4 të aktakuzës.
Veç kësaj, paneli kishte thënë se ka mospajtime për interpretimin e këtij neni pasi sipas tyre, panele më të ulëta kanë interpretuar që ky nen është i zbatueshëm për veprat penale të dënueshme mbi pesë vjet dhe disa për ato të dënueshme nën 5 vjet.
Në vendim thuhet se me shumicë votash, Paneli ka rënë dakord me ZPS-në, duke thënë se neni 32 (3) duhet të zbatohet për vepra që përfshijnë ose edhe i tejkalojnë pesë vjet burg.
“Si rezultat, Paneli konstaton, me shumicë votash, se duke qenë se vepra e pengimit të personave zyrtarë është e dënueshme në format e saj të rënduara me burgim nga një (1) deri në pesë (5) vjet, forma e tretë e nxitjes sipas nenit 32(3) të KPK-së është e zbatueshme në këtë rast”, thuhet në vendim.
Si rrjedhojë, ata e konsideruan gabim konstatimin e gjyqtares së ky nen nuk ishte i zbatueshëm për veprën “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, kështu që paneli pranoi pikën katër të ankesës së ZPS-së.
Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024. Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor.
Ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.