Pesë persona, përfshirë tre fëmijë, vdiqën në perëndim të shtetit Illinois të ShBA-së, kur një autobus i nxënësve dhe një kamion u përplasën mes vete në një autostradë të hënën, thanë autoritetet.
Autobusi ishte duke udhëtuar drejt lindjes, kur e kaloi vijën e mesit në rrugën “Route 24” dhe doli në shiritat me kah të kundërt “për arsye të panjohur” dhe në vijën e kamionit që po transportonte rërë, tha zyrtari policor, Jody Huffman, në një konferencë për gazetarë.
Të dyja automjetet u kapluan nga zjarri pas përplasjes. Aksidenti ndodhi rreth orës 11:30 paradite në Rushville, rreth 95 kilometra në perëndim të qytetit Springfield, raporton agjencia “Associated Press”.
Të gjithë personat që ndodheshin në autobus – tre fëmijë dhe vozitësi – si dhe vozitësi i kamionit mbetën të vdekur.
“Nuk ka vërtet fjalë në këtë kohë që mund të thuhen. Kur keni humbje jete si kjo, është shkatërruese” – tha zyrtari policor në distriktin Schuyler, Bill Redshaw.
Shkaktari i aksidentit mbeti duke u hetuar të hënën pasdite.