Xhudisti i njohur kosovar, Akil Gjakova, ka bërë të ditur se para tij nis një sfidë e re madhore në karrierë, rrugëtimi drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike, që do të mund të ishte pjesëmarrja e tij e tretë në ngjarjen më të madhe sportive në botë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjakova ka shprehur krenarinë për rrugëtimin e tij në skenën ndërkombëtare të xhudos, duke theksuar se qëndrimi për më shumë se një dekadë në elitën botërore është rezultat i shumë viteve punë, sakrifice dhe përkushtimi.
“Para meje nis një tjetër kapitull i madh, rrugëtimi drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike, Olimpiada e tretë në karrierën time. Të jem pjesë e elitës botërore të xhudos për rreth 13 vite është një arritje që më bën krenar për sakrificën, punën dhe rezultatet e arritura”, ka shkruar Gjakova.
Medalist dhe një prej emrave kryesorë të xhudos kosovare, Akili ka vlerësuar edhe rolin e trajnerit të tij, Driton Kuka, të cilin e konsideron si një nga njerëzit më të rëndësishëm në zhvillimin e tij sportiv.
“Trajneri im Driton Toni Kuka është ai që i dha drejtim dhe jetë rrugëtimit tim si sportist”, është shprehur xhudisti kosovar.
Gjakova ka falënderuar gjithashtu të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij, duke veçuar edhe përkrahësit e parë që i qëndruan pranë në hapat e parë të karrierës.
Tashmë objektivi i radhës për xhudistin kosovar është i qartë: të kalojë me sukses ciklin e ri olimpik dhe të sigurojë një tjetër paraqitje në Lojërat Olimpike, duke vazhduar ta përfaqësojë Kosovën në nivelin më të lartë të xhudos botërore.





