Ajax ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e portierit gjerman Marc-Andre ter Stegen, i cili i është bashkuar klubit holandez në formë huazimi nga Barcelona për sezonin 2026/27.
Gardiani 34-vjeçar kompletoi me sukses vizitat mjekësore gjatë fundjavës, përpara se të firmoste kontratën që e dërgon në Amsterdam për një vit.
Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Ajax do të mbulojë rreth 15 për qind të pagës së portierit gjerman gjatë periudhës së huazimit.
“Ajax ka arritur marrëveshje me FC Barcelona dhe Marc ter Stegen. Portieri 34-vjeçar do të luajë për klubin tonë në formë huazimi për një sezon nga skuadra spanjolle”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Drejtori teknik i Ajaxit, Jordi Cruyff, e cilësoi afrimin e Ter Stegen si një lëvizje të rëndësishme për skuadrën.
“Marc ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe cilësitë e tij njihen në të gjithë botën. Ai është një përforcim i menjëhershëm për ekipin tonë. Njihemi prej kohësh dhe mezi pres të bashkëpunojmë sërish. Kemi punuar për një kohë të gjatë që ta sjellim në Ajax dhe jemi shumë të lumtur që gjithçka u finalizua me sukses”, u shpreh Cruyff.
Me këtë transferim, Ajax siguron përvojën dhe cilësinë e një prej portierëve më të spikatur të futbollit evropian, ndërsa Ter Stegen do të synojë të rikthehet në formën e tij më të mirë me fanellën e klubit nga Amsterdami.





