Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u bën thirrje subjekteve politike që të respektojnë privatësinë dhe të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025.
AIP thekson se për të garantuar integritetin zgjedhor, respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, partitë dhe subjektet politike duhet të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave të kryhet mbi bazë ligjore, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj.
Agjencia kërkon gjithashtu që të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera, për qëllime marketingu politik pa pëlqim paraprak. Subjektet politike duhet të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit.
Po ashtu, duhet shmangur çdo formë të profilizimit ose përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve me bazë të qartë ligjore dhe me masa mbrojtëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale dhe transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit, duke publikuar politika të qarta të privatësisë.
“Agjencia ofron bashkëpunim me partitë dhe subjektet politike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ju bën thirrje partive dhe subjekteve politike që gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të dhënat personale të qytetarëve mbrohen dhe ruhen në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në deklaratën e AIP.