Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe platformave online që, gjatë raportimit për ngjarje tragjike, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj familjeve të prekura.
AIP thekson se është thelbësore që në raste të tragjedive, raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në këto situata të ndjeshme, është thelbësore që raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, duke respektuar privatësinë, dinjitetin dhe dhimbjen e familjarëve. Agjencia thekson se mbrojtja e të dhënave personale është detyrim ligjor dhe moral, veçanërisht në situata të ndjeshme”, njofton AIP.
Agjencia fton mediat që të veprojnë me ndjeshmëri dhe korrektësi, duke kontribuar në ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe duke treguar solidaritet me familjet në momente të vështira.
Duke marrë shkas ngjarjet e fundit tragjike në vend, ku brenda një jave nga të shtënat me armë zjarri u vranë pesë persona, edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ua ka rikujtuar mediave Kodin e Mediave të Shkruara dhe raportimin për tragjedinë dhe mbrojtjen e privatësisë.






