Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Agron Shabani, ka shpallur të mërkurën listën e 16 lojtareve të ftuara për dy ndeshjet vendimtare ndaj Finlandës, në kuadër të fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për European Women’s Handball Championship 2026.
Kosova do të përballet fillimisht me Finlandën më 5 mars nga ora 17:30 në Vantaa, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet më 8 mars nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Grumbullimi i ekipit nis të dielën në kryeqytet, ndërsa udhëtimi drejt Finlandës është planifikuar për javën e ardhshme.
Në listën e publikuar nga Shabani bie në sy rikthimi i Dafina Mustafës, Yllka Shatrit dhe Melisa Mulajt, ndërsa për herë të parë janë ftuar edhe disa prej talenteve të Kombëtares U19: Vanesa Kastrati, Aulona Maloku dhe Albina Pllana.
Ftesat për lojtaret e reja konfirmojnë procesin e ndërrimit të gjeneratës në përfaqësuesen tonë, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues për të ardhmen.
Kosova i ka zhvilluar tashmë dy ndeshje në këtë cikël kualifikues, duke u përballur me dy kundërshtarë të fortë si Franca dhe Kroacia, nga të cilat ka pësuar humbje. Edhe Finlanda ka dy humbje, çka e bën përballjen direkte të marsit vendimtare për vendin e tretë në grup, pozitë që gjithashtu mund të sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian.






