Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për shkak të një tjetër sulmi ndaj gazetarëve, kësaj here në Komunën e Zveçanit, pasi një veturë e mediumit ekipit të televizionit Kanal 10 është dëmtuar.
Sipas AGK-së, këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda.
“Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit”, thuhet në njoftim.
AGK-ja, u ka bëre thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve.
Gazetarët e ndryshëm edhe në komunën e Leposaviqit janë sulmuar derisa kane qenë duke raportuar për gjendjen aktuale që është duke ndodhur atje.