Agjenti i yllit të Atletico Madridit, Julian Alvarez, Fernando Hidalgo, ka publikuar një mesazh të drejtpërdrejtë për drejtuesit e klubit spanjoll nga “Metropolitano”.
Hidalgo shkroi në llogarinë e tij në Instagram një thënie mjaft thumbuese ndaj drejtuesve të Atletico Madridit, në një moment kur e ardhmja e sulmuesit argjentinas vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.
Kjo deklaratë erdhi pasi Atletico Madridi refuzoi ta shiste Alvarezin te Barcelona gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit dhe kërkesave të shumta nga kampionët spanjollë.
Zyrtarët e klubit madrilen këmbëngulin se lojtari nuk ka marrë asnjë premtim nga drejtuesit se mund të largohet nga “Metropolitano”.
Siç dihet, Alvarez është një objektiv i madh i Barcelonës, por Atletico Madridi nuk dëshiron ta lejojë sulmuesin argjentinas të bashkohet me një prej rivalëve të tyre.
Më saktësisht, klubi madrilen po kërkon një shumë shumë më të lartë për transferimin e tij te Barcelona, krahasuar me klubet e tjera. Në këtë kontekst, është përmendur edhe shifra prej 500 milionë eurosh, aq sa klauzola e lirimit të lojtarit.





