Përgatiti: Arton Hamiti
Marco Rubio, senator i Floridës, do ta mbajë pozitën e sekretarit të Shtetit në administratën e re amerikane. Për Kosovën ky është lajm i mirë.
“E kam takuar disa herë senatorin Rubio, e ka takuar edhe ish-presidenti Hashim Thaçi. Është një njeri që është i familjarizuar me rrethanat në Kosovë dhe Ballkan. Nuk e dimë akoma nëse do të konfirmohet, por secili nga emrat që po përflitet do të ishin lajme të mira”, tha Vlora Çitaku, ish-ambasadore e Kosovës në SHBA.
Teksa Marco Rubio është konfirmuar presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, tashmë ka caktuar edhe John Ratcliffe si drejtorin e ri të CIA-s, njeriun që njihet për mbështetjen e madhe që i ka dhënë çështjes së Kosovës.
Por, për ish-ambasadoren në SHBA, Vlora Çitaku, raportet e Kosovës me Amerikën varen nga sjella e lidershipit kosovar.
“Këta emra kanë lidhje edhe personale me komunitetin tonë në SHBA dhe kanë një kujtesë të mirë, por natyra e raportit të Kosovës me SHBA-në nuk diktohet vetëm nga ata që janë në Shtëpi të Bardhë. Varet shumë se kush i udhëheq institucionet tona. Sepse ne kishim për katër vjet një president që ishte miku më i mirë i Kosovës, por raportet tona ishin në nivelin më të ulët”, tha Çitaku.
Sidoqoftë, fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka sjellë paqartësi, sidomos në Evropë.
Kjo për qasjen që administrata e tij do të ketë ndaj procesit të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.