Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke u shprehur se kjo ditë është arritja më e madhe dhe shpagimi i përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri e pavarësi.
Abdixhiku ka përmendur presidentin historik Ibrahim Rugova, familjen Jashari, UÇK-në dhe të gjithë ata që luftuan për këtë paqe, transmeton Sinjali.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim; është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë.
Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentitn Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne!
Në këtë përvjetor të 17-të, le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi e shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme. Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm. Ky atdhe na thërret të vazhdojmë rrugëtimin secilën ditë!
Sot, festojmë të gjithë!
Veç një Kosovë kemi.
Urime dita e pavarësisë!