Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij ka arritur të sigurojë 18.14% të votave në zgjedhjet e fundit, ndërsa pret që numri i votave të rritet me përfshirjen e votave nga mërgata, raporton ATV.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 18.14% të votave, që përkthehet në 158,054 vota. Këto janë rezultatet e deritanishme, por duhet të theksoj se nuk janë përfshirë ende votat e mërgatës dhe ato me kusht. Bazuar në të dhënat tona, presim që rreth 30 deri në 35 mijë vota të tjera t’i shtohen këtij rezultati”, tha Abdixhiku.
Ai kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vonesat në shpalljen e rezultateve përfundimtare, duke theksuar se transparenca dhe menaxhimi i procesit zgjedhor duhet të jenë në nivel më të lartë.
“Fatkeqësisht, KQZ-ja nuk ka bërë punën e saj me kohë, por ne si parti do të presim që të gjitha votat të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar”, u shpreh kreu i LDK-së.
Sipas rezultateve të deritanishme, Abdixhiku tha se Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 39.88% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.84%, ndërsa LDK mban vendin e tretë me 18.14%.
Megjithatë, Abdixhiku është optimist se votat nga diaspora mund të ndikojnë në rritjen e rezultatit të partisë së tij. /atvlive.tv
Konferencën e plotë për media të Lumir Abdixhikut e gjeni në videon më poshtë: