Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott ka thënë se i ka mirëpritur lajmet nga Strasburgu se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka miratuar përcjelljen e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në asamblenë e saj parlamentare.
Ai e quajti këtë ngjarje si një hap të rëndësishëm përpara që Mbretëria e Bashkuar e mbështet.
“Obligimet që do të sjellë anëtarësimi në kohën e duhur do të zhbllokojnë përfitime për të gjitha komunitetet e Kosovës”, shkroi ai me anë të një postimi në Facebook.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.