​AAPSK me pasuri të sekuestruar për më shumë se një dekadë

Rreth 350 vetura të sekuestruara në depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK) presin vendim për konfiskim ose kthim tek pronari. Prej tyre ka vetura që tashmë kanë mbushur edhe dekadën në pritje të një vendimi gjyqësor, gjë që ka bërë që të njëjtat të zhvlerësohen.

Përpos veturave, Agjencia përkujdeset edhe për pasuri të tjera të sekuestruara siç janë stolitë e arit, telefonat, gjësende të tjera të vlefshme apo edhe për substancat narkotike. Ndërsa paratë ruhen në Bankën Qendrore të Kosovës, ndërsa pronat e paluajtshme shpeshherë u jepen në shfrytëzim institucioneve.

Sipas raportit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, viti 2022 karakterizohet sërish me sukses relativ në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale. Përderisa sipas raportit, sekuestrimi shënon një rritje jo vetëm ndaj vitit 2021, konfiskimi paraqet një zbritje të lehtë në krahasim me vitin 2021.

Në vitin 2022, prokuroritë kanë ngrirë/sekuestruar 20,728,945.42 euro dhe 669,765,14 euro të konfiskuara… Po në këtë vit (2022) janë raportuar 37 raste me konfiskim përfundimtar që paraqet një rekord të të gjithë këtyre viteve, sa i përket numrit të rasteve të përfunduara me konfiskim”, thuhet në raport.

Ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar thonë se vlera e përafërt e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është rreth 160 mijë euro.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të pranimit, vlerësimit, ruajtjes së vlerës dhe shitjes së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, Alban Sutaj thotë se përgjatë periudhës janar – mars 2023 kanë pranuar 22 vendime gjyqësore, prej tyre nëntë për sekuestrim dhe 13 për konfiskim.

Në vitin 2022 ne kemi pranuar gjithsej 104 vendime, prej tyre 39 vendime për sekuestrim, 64 për konfiskim dhe një për ngrirje. Ndërsa gjatë periudhës janar-mars (2023) kemi pranuar 22 vendime gjyqësore, prej tyre 9 për sekuestrim dhe 13 për konfiskim. Vlera e përafërt për këtë periudhë (janar-mars) është 159 mijë e 798 euro… Po ashtu, kemi zhvilluar edhe 12 procedura të ankandit, d.m.th. shitjes së pasurive konform procedurave gjyqësore, kemi bërë 15 kthime të pasurive dhe iu kemi dhënë edhe 13 pasuri në shfrytëzim institucioneve të ndryshme”, deklaroi Sutaj.

Mirëpo, fakti që ka një diferencë kaq të madhe mes pasurisë së ngrirë e sekuestruar dhe asaj të konfiskuar me aktgjykim përfundimtar përbën një shqetësim për Lavdim Makshanan, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Edhe në raportin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik për vitin e kaluar theksohet se, situata në sferën e konfiskimit mund dhe duhet të përmirësohet. Sipas të njëjtit raport,me një angazhim më të madh, shifra prej 37 rastesh të konfiskimit përfundimtar duhet të kalojë në mbi 100 raste të tilla në vit pasi një gjë e tillë është e arritshme.

Nëse i referohemi raportit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, i bie që vlera e pasurisë së sekuestruar gjatë vitit 2022 ka shënuar ngritje në raport me vitet e kaluara. Është diku rreth 21 milionë, pasuria e sekuestruar nga ana e Prokurorisë. Ekziston një shpërputhje mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar për shkak se nëse iu referohemi këtyre statistikave, pasuria e cila është konfiskuar me vendim përfundimtar, kap vlerën diku 669 mijë euro, që i bie që është goxha diskrepancë mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar”, thotë ai.

Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të shiten në ankand, t’iu jepen në shfrytëzim institucioneve ligjzbatuese apo edhe t’i kthehen pronarit të tyre, varësisht vendimit përfundimtar të gjykatës.

Mirëpo, ajo asnjëherë nuk i shitet pronarit pasuria e të cilit është konfiskuar.

Ne nuk i shesim pronarit pasuri të konfiskuar, iu shesim vetëm palëve të treta… Pronarit të cilit i është sekuestruar pasuria, nuk i shitet pasuria… Nuk ka të drejtë të marrë pjesë në ankand publik”, thotë Sutaj.

Gjykatat konsiderohet se po vonohen në marrjen e vendimeve për konfiskim përfundimtar, duke bërë që shumë pasuri të sekuestruara të mbesin në pritje.

Kjo theksohet edhe në raportin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, që thuhet se sfidë mbetet fakti i zhvlerësimit të madh të shumë aseteve për shkak, qoftë të ngurrimit të gjyqtarëve për t’i shitur ato, qoftë për shkak të evidentimit të tyre si provë apo edhe arsyetimit jo të duhur të kërkesave për shitje.

Atyre (pasurive të sekuestruara) normal që iu bie vlera ndër vite. Dhe, ne jemi duke kërkuar që ato të shiten sa më herët dhe ne të ruajmë kundërvlerën e tyre… Në procedura gjyqësore ne nuk mund të interferojmë… Gjykatat po vonojnë që të marrin vendime për konfiskim… Rreth 350 vetura të sekuestruara në depon e AAPSK-së presin vendim për konfiskim ose kthim tek pronari… Ka ndoshta një pasuri që mund të rrijë deri në 4 vjet në depot e AAPSK-së apo edhe më gjatë, variojnë”, thotë Sutaj.

Të njëjtën gjë e thonë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), organizatë kjo që monitoron sistemin e drejtësisë.

Ajo që ndodh zakonisht në gjykatat tona është që asetet të cilat konfiskohen mbeten nën administrim të Agjencisë për shkak të stërzgjatjes së procedurave gjyqësore. Pra, meqenëse nuk ka përfundime të procedurave gjyqësore, edhe asetet ngadalë shkatërrohen dhe zhvlerësohen në njëfarë mënyre, dhe nuk kanë vlerë të madhe sikurse në momentin kur janë sekuestruar. Pastaj, është goxha problem edhe për Agjencinë, sepse duhet të bëhet edhe mirëmbajtja e atyre aseteve, normalisht që kjo krijon shpenzime për Agjencinë, në momentin kur nuk ka vendime përfundimtare nga ana e gjykatës për shitjen e aseteve”, thotë Makshana.

Gjatë tërë vitit 2022, është e dhëna se konfiskimet, ngrirjet dhe sekuestrimet kanë ndodhur për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë vepra penale kundër korrupsionit. Gjithsej, 57 prokurorë janë përfshirë në sekuestrim apo ngrirje të pasurisë në raste të ndryshme.

Nga 37 rastet me konfiskim përfundimtar, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka iniciuar 17 raste, Prokuroria Speciale dy raste, ajo e Prishtinës 5 raste, Prokuroria e Ferizajt 3 raste, ajo e Pejës 1 rast ndërsa Prokuroria e Gjakovës 9 raste.

Prokuroria Speciale ka sekuestruar: 4 automjete, 3 lokale afariste, para, pajisje teknologjike. Prokuroria e Pejës ka të sekuestruar: 10 automjete, para, telefona, masë drunore. Prokuroria e Prishtinës ka të sekuestruar: 7 automjete, para, telefona, naftë, pajisje teknologjike.

Prokuroria e Mitrovicës ka të sekuestruar: 2 automjete, para, telefona, pajisje teknologjike. Prokuroria e Ferizajt ka sekuestruar: 11 automjete, stoli ari, para, telefona, veshëmbathje, artikuj ushqimor. Prokuroria e Gjilanit ka sekuestruar: 8 automjete, prona, ari, argjend, para, masë drunore, kafshë, telefona, duhan.

Prokuroria e Gjakovës ka sekuestruar: 22 automjete, 1 kamion, 2 eskavatorë, para, telefona, pajisje teknologjike, pije alkoolike, ndërsa Prokuroria e Prizrenit ka sekuestruar: 17 automjete, 1 rolex, lira, para, telefona.

Mirëpo, Makshana thotë se rastet kur ka vendim për konfiskim janë kryesisht të natyrave të lehta, ndërsa për rastet e veprave të korrupsionit apo të terrorizmit janë shumë pak.

Nëse e shohim me vitet e kaluara, nuk ka ndonjë ngritje të madhe në rastet konkrete për pasuritë e konfiskuara, kjo për shkak se siç e dimë në vendin tonë procedurat janë të tejzgjatura, pastaj zvarriten rastet gjyqësore, por edhe këto rastet që janë konfiskuar janë zakonisht raste të vogla dhe nuk janë raste nga të cilat vepra penale ka pasur keqpërdorime shumë më të mëdha, për shembull, veprat penale të korrupsionit, veprat penale të shpëlarjes së parasë, veprat penale të terrorizmit, ku ka pasuri të fituar në mënyrë të jashtëligjshme apo dikush ka pasur dobi pasurore nga një pozitë të cilën e ka mbajtur. Pra, në këto raste, nuk ka pasur vendime përfundimtare nga ana e gjykatave. Edhe në ato raste kur ka pasur, ka pasur shumë pak. Prandaj, edhe diskrepanca mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar është shumë e madhe”, deklaroi Makshana.

Sipas të dhënave të raportit për krimet ekonomike nga 37 vendimet e konfiskimit, 10 raste janë për “falsifikim të dokumenteve”, 10 raste për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuuar të naroktikëve…”, 4 raste janë “kontrabandim me migrantë”, 3 nga “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Nga një rast për konfiskim ka pasur vendime për veprat “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “fajde”, “shpëlarje e parave”, “vjedhje e rëndë”, “tregti e ndaluar”, “shmangie nga pagesa e tarifave te detyrueshme doganore…”, “kontrabandim me mallra”, “dhënie e ryshfetit në sektorin privat”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe një rast tjetër për veprën “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Përballë përgjegjësisë që gjykatat kanë në gjithë këtë proces si dhe kritikat për procese të tejzgjatura, kemitentuar të marrim një përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës porse deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk e kemi pranuar një të tillë.

Ndërkaq, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se janë duke bërë plotësim-ndryshimin e infrastrukturës ligjore të të gjitha ligjeve që e përbëjnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, thotë se po synojnë që përmes Fondit të konfiskimit, pasuritë e konfiskuara me vendim përfundimtar të shpërndahen edhe për përdorim social.

Tashmë jemi në plotësim të infrastrukturës ligjore të krejt ligjeve të cilat e përbëjnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Tash, në këtë rast, nëse paratë vijnë nga Byroja e cila tashmë do të themelohet… dhe do të adresojë çështjen në gjykatë dhe gjykata do të konfiskojë ato, pastaj po ashtu është edhe konfiskimi në fushën penale, është Ligji për kompetencat e zgjeruara ku edhe aty në fushën penale çdo pasuri e konfiskuar do të derdhet në fond, dhe fondi do të ketë një komision të caktuar, ku ai komision, do t’i shpërndajë pasuritë për nevojat e qytetarëve, për grupet e marxhinalizuara të shoqërisë, siç janë viktimat që kanë pësuar nga dhuna në familje, njerëzit që janë prekur nga substancat narkotike dhe grupet e tjera të marxhinalizuara me qëllim të integrimit të tyre në shoqëri”, thotë ai.

Porse, Sallahu thotë se gjatë hartimit të draftit të parë të Projektligjit të konfiskimit, kanë hasur në një problem, të cilin synojnë ta zgjidhin konform standardeve ndërkombëtare.

Jemi në hartim të draftit të parë të Projektligjit të konfiskimit, ku na ka dal një problem me fondin monetar të konfiskimit, për faktin se ju e dini se në Republikën e Kosovës ekziston vetëm një kod buxhetor dhe është kompetencë e Ministrisë së Financave, dhe Ligji për menaxhimin e financave nuk e lejon që të kemi dy kode buxhetore në Republikën e Kosovës. Prandaj, këtu kemi një pezullim të punës të hartimit të draftit të Fondit të konfiskimit për faktin se tash jemi në prag të zgjidhjes dhe rekomandimeve të reja nga Zyra e BE-së dhe Këshilli i Evropës, për të parë se si të gjendet një formë më e mirë e komunikimit me Ministria e Financave dhe të gjejmë modalitete më të mira që të kemi një kod, ose një tjetër kod të veçantë ose ndonjë formë tjetër alternative se si duhet të bëhet administrimi i fondit monetar nga Ministria e Drejtësisë sepse nuk lejon legjislacioni në fuqi të ecim përpara pa ardhur tek një zgjidhje e mirë. Tash jemi në pritje të ndonjë rekomandimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare, besoj shumë shpejt, brenda javës së ardhshme do të kemi rekomandime nga ta”, thotë Sallahu.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA