Avokatja Rozafa Ukimeraj ka rrëfyer një moment të pazakontë nga takimi i saj me ish-ministrin Anton Quni, një pyetje që, sipas saj, e befasoi, por që më pas u shndërrua në një diskutim për një “luftë” tjetër – atë kundër korrupsionit dhe për integritet institucional.
Sipas Ukimerajt, ministri i atëhershëm i kishte dërguar fillimisht një mesazh duke i kërkuar një takim, pa i sqaruar arsyen. Gjatë takimit, Quni i kishte parashtruar drejtpërdrejt pyetjen nëse i kishte mbetur peng që nuk kishte luftuar gjatë luftës.
“Sigurisht unë e kisha një përgjigje shumë të sinqertë. Në kohën kur ishte lufta unë isha e vogël, gjithsesi unë provoj të luftoj në mënyra tjera, jo vetëm me armë”, ka treguar Ukimeraj.
Ajo shtoi se pikërisht kjo përgjigje kishte qenë hyrje për një mision të ri profesional. “Epo atëherë pikërisht na duhet dikush që do ta bëjë një luftë të re – luftën kundër korrupsionit, luftën për ta bërë Ministrinë e Mbrojtjes një institucion me integritet”, citohet të ketë thënë ministri.
Vlen të theksohet se Rozafa Ukimeraj ka shërbyer për dy mandate radhazi si Sekretare e Përgjithshme, fillimisht në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe më pas në Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo njihet si gruaja e vetme Sekretare e Përgjithshme në gjeneratën e saj, duke u veçuar për angazhimin e saj në forcimin e administratës publike dhe promovimin e integritetit institucional.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Rozafa Ukimeraj, klikoni linkun e mëposhtëm:






