Macet janë të njohura si “gurmanë të vërtetë”, ato parapëlqejnë mishin e freskët apo një copë të shijshme peshku. Megjithatë, shpesh pronarët pyesin: a mund të hanë macet edhe fruta, dhe konkretisht, a janë mjedrat të sigurta për to?
Mjedrat nuk bëjnë pjesë në ushqimin bazë të maceve, por një sasi e vogël e tyre nuk është toksike dhe nuk shkakton probleme shëndetësore. Një ose dy kokrra, të ofruara si shpërblim apo “ëmbëlsirë” e rastit, mund ta kënaqin macen pa e rrezikuar shëndetin e saj.
Nëse macja i provon për herë të parë, është e rëndësishme të ndiqni reagimin e saj. Në rast se vëreni shenja si: pështymë e shtuar, të vjella apo diarre, atëherë nuk duhet t’i ofroni më mjedra.
Përfitimet e mundshme të mjedrave për macet
Edhe pse macet janë mishngrënës të rreptë, mjedrat kanë disa vlera që mund të shfrytëzohen si ushqim shtesë:
▪ Përmbajnë fibra dhe pak karbohidrate, të cilat ndihmojnë në tretje dhe parandalojnë kapsllëkun.
▪ Janë të pasura me vitamina A dhe C, që mbështesin funksionimin normal të muskujve dhe nervave, forcojnë imunitetin dhe reduktojnë stresin oksidativ.
▪ Përmbajnë mangan, i domosdoshëm për funksion riprodhues normal dhe për prodhimin e acideve yndyrore.
▪ Për më tepër, mjedrat kanë përmbajtje të lartë uji, çka i bën të dobishme për macet që shmangin pirjen e ujit. Ato janë një ushqim i lehtë, pa rrezik shtimi në peshë.
A i shijojnë macet mjedrat?
Macet nuk e ndjejnë shijen e ëmbël si njerëzit, por kjo nuk i pengon të provojnë fruta. Kombinimi i tyre me pak krem djathi, kos ose pana (nëse macja nuk ka intolerancë ndaj laktozës) mund ta bëjë atë edhe më tërheqëse.
Në ditët e ngrohta të verës, mjedra e ngrirë mund të shërbejë si freskim i mrekullueshëm, transmeton Telegrafi.
Kujdes: mjedrat nuk zëvendësojnë ushqimin bazë
Macja ka nevojë për proteina me origjinë shtazore – mish dhe peshk. Frutat, përfshirë mjedrat, nuk mund të bëhen pjesë e dietës së përditshme, por vetëm një shtesë e vogël e sigurt dhe e shëndetshme.
Mbani mend! Mjedrat janë të sigurta për macet në sasi të vogël dhe mund të jenë një mënyrë e mirë për t’i hidratuar dhe për t’u dhënë fibra e vitamina shtesë. Megjithatë, ato kurrë nuk duhet të zëvendësojnë ushqimin kryesor të bazuar në mish.