Dikur pjesë e së njëjtës frymë politike, por sot raportet mes Vjosa Osmanit dhe Faton Pecit kanë pësuar ndryshim.
Dy figurat politike janë parë të mërkurën në një restorant në Mitrovicë, ku Osmani iu drejtua Pecit me fjalët “Ku je z. kryetar, a je gjallë, a je mirë?”, një komunikim që flet shumë për raportin aktual mes tyre, raporton Paparaci.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani është bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente, ndërsa Peci, kryetar i Mitrovicës, vazhdon bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ish-anëtarë të partisë Guxo kanë deklaruar se Peci ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të Osmanit, sidomos pas mosmbështetjes nga Lëvizja Vetëvendosje për një mandat tjetër në krye të presidencës.
Vjosa Osmani bashkë me Faton Pecin dhe Donika Gërvallën u larguan nga LDK-ja dhe themeluan Guxo, atëherë një frymë e re politike.
Më vonë Guxo u bashkua me LVV-në, ku Vjosa Osmani u bë presidente.
Raportet mes Osmanit, Gërvallës dhe Pecit shpesh janë parë si simbol i bashkëpunimit të ngushtë politik. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar rrjedhën e këtij raporti.
Pas mosmbështetjes së Osmanit nga LVV, ajo në këto zgjedhje u bashkua me LDK-në, ndërsa Gërvalla dhe Peci vazhdojnë rrugëtimin me Vetëvendosjen.





