Nëse je shqiptar, mundësia që jeta jote të jetë vetëm e jotja është tepër e vogël. Ajo është një projekt kolektiv, ku gjithë lagjja, hallat, dajallarët, dhe edhe komshiu që nuk të përshëndet kurrë, kanë të drejtë vote. Ti je thjesht ekzekutuesi i planit.
Sipas “manualit shqiptar të jetës perfekte”: Nëse je vajzë, martesa pas të 25-ave është alarm kombëtar. “Mos po na mbetet shpi?” Nëse je djalë dhe s’je martuar deri në 30 vjet, fillojnë dyshimet: “Ka diçka, se normal tash ish dasht me konë me fëmijë në dorë ky.”
E nëse ti guxon me thënë se do të presësh, do të krijosh karrierën e jetën njëherë, përgjigja epike ka me qenë… “Prit, ama mosha t’ik.” Ndoshta këta që të japin këshilla kanë martesa jo të shëndosha, shumë afër divorcit, kredi deri në fyt, e fëmijët që i mbajnë në TikTok 12 orë në ditë… por, çka do të thotë kjo? Ata dinë më mirë se ti. E pastaj vjen karriera. E përfundon fakultetin, shpresat i ke me u punësuar në profesionin tënd, por jo gjithçka shkon sipas planit. Je në një punë ku po të rëndohet shëndeti yt mendor, vlerësimi është 0 dhe kontributi më shumë se 100, por ti prapë rrin. Rrin, se thu “më mirë pak se hiç.” Eh, tani del te dashuria për ne… dashuria është “luksi” i fundit.
Sepse, tek ne, rëndësi ka kur po martohesh, jo kë do. Mund të jesh me dikë që s’të bën të lumtur, por hajt, kryesorja është “mos me ta kthy fjalën dynjaja.”
Sepse, sipas filozofisë shqiptare: më mirë një martesë pa dashuri, se një jetë pa thashetheme.
E përfundimisht, doja t’ju thoja: Mos e cani kokën se çka mendojnë të tjerët. Kjo është jeta juaj që do të jetoni vetëm një herë. Mos lejoni që mendimet e të tjerëve të bëhen kufi i juaj.