Kosova s’ka arritur të shënojë ndonjë progres të theksueshëm në Raportin e Progresit për vitin 2024, thonë në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Dy ditë pas publikimit të raportit për vendin nga Komisioni Evropian, në GLPS, thanë se në bazë të të gjeturave shihet se Kosova ka shënuar progres vetëm në dy kapituj dhe gjithsej katër fusha.
Hulumtuesja në GLPS, Dea Fetiu, në konferencë për medie të premten, tha se Kosova ka shënuar progres në kapitullin 24, që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë si dhe kapitulli 19 ku flitet për politikat sociale dhe punësimin.
“Për vitin 2024, Raporti i Progresit shënon se Kosova s’ka arritur të shënojë ndonjë progres të mjaftueshëm dhe që do të konsiderohej si thelbësor për ecjen përpara në integrimin në BE. Po ashtu duhet të theksohet se ky është raport i parë që vjen për Kosovën, derisa Kosova është në masa të përkohshme nga BE-ja dhe kur ka marrëdhënie pak të tensionuar me këtë organizatë. Këtë vit, Kosova ka shënuar progres në gjithsej dy kapituj. Në kapitullin 24 që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, si dhe kapitullin 19 për politikat sociale dhe punësimin. Po ashtu, Kosova ka shënuar progres të mirë në gjithsej katër fusha, përderisa njëfarë progresi është shënuar në 11 fusha, progres i limtuar në 17 fusha, ndërsa dy fusha kanë mbetur pa progres fare. Një e gjetur tjetër interesante është se 18 fusha në total nga 35 sosh janë vlerësuar si tërësisht të njëjta me vitin 2023”, tha ajo.
Ajo përmendi edhe Ligjin për zyrtarët publik, që sipas saj është në kundërshtim me parimet e SIGMA-s dhe degradon funksionimin e shërbimit.
“GLPS sheh se Ligji për zyrtarët publik është në kundërshtim me parimet e SIGM-s dhe degradon funksionimin e shërbimi civil në Kosovë. Ky ligj në mënyrën si është draftuar tani cenon thellë konkurrencën, e cila është shtylla kryesore e meritokraci dhe nuk ofron mundësi të qëndrueshme për zhvillim të karrierës…Në anën tjetër raporti vëren mungesën e emërimit të pozitave të larta menaxhuese dhe shpreh shqetësimin e tij për pozita të larta që udhëheqin me ushtrues detyre. GLPS ka vërejtur se 27 pozita të nivelit të lartë drejtues për momentin janë duke u ushtruar me ushtrues detyre”, shtoi ajo.
Krahas këtyre, ajo shtoi nevojën për zbatim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./KP/