Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se Strategjia shtetërore për rini do të jetë reforme për politikë bërjen dhe dokument kryesor orientues karshi rinisë.
Sipas Kurtit, të jesh i ri është sfidë në vetvete, për çka shtoi se duhet të zhvillohen politika rinore të cilat ndihmojnë këto grup-mosha.
Kryeministri Kurti gjatë prezantimit të procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 dhe Planit të veprimit 2024-2026, tha se në qendër do të jetë i riu.
“Përmes planifikimit të mirë duam që realizimi të jetë me kohë dhe efektiv. Planifikimi i mirë është veçanërisht i nevojshëm për zhvillimin e rinisë, si një çështje dhe kategori komplekse dhe ndër sektoriale. Takoj të rinj çdo ditë dhe çdonjëri ka ëndrra, mbase po aq sa ka edhe sfida. Të jesh i ri është sfidë në vetvete, prandaj dhe zhvillohen politikat rinore dhe jo le të themi politika për personat në mes-moshë. Edhe pse edhe kjo periudhë i ka krizat e veta. Të jesh i ri është të gjen vetën në tranzicion nga kujdesi familjar në pavarësim. Në këtë fazë i riu në një mënyrë kalon në kujdesin e shtetit që t’i ofrojë një vend pune, qasje në shërbime financiare, një vendbanim të sigurt dhe mundësi për të investuar, kursyer dhe planifikuar të ardhmen. Në këtë fazë, i riu apo e reja po merr vendimet më të rëndësishme”, ka thënë Kurti.
Në këtë fazë, siç tha Kurti, të rinjtë janë shpesh pa punë dhe të atakuar nga presioni dhe përdorues të substancave narkotike. Shefi i ekzekutivit ka theksuar se roli i shtetit është që t’i mbrojnë nga disavantazhet.
“Strategjia shtetërore për rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet të përcaktojë rolin e vet. Përveçse është strategji e cila na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikë bërjen ndër sektoriale karshi rinisë. Në të kaluarën kemi pasur planifikim dhe zbatim të fragmentuar, e zaten kur ka pak planifikim, zbatimi është i fragmentuar, të pa konsoliduar dhe shpesh kontradiktor. Ato që janë deklaruar si prioritete, zakonisht nuk janë financuar dhe buxhetuar, por kjo nuk do të ndodhë më”, ka shtuar Kurti në prezantimin e strategjisë shtetërore për rini.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se përmes programit “Super Puna”, janë punësuar mbi dy mijë të rinj.
Tutje, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se politika e qeverisë për të rinjtë po përjeton transformim.
“Besojmë që ka ardhur koha të ketë planifikim të mirëfilltë, të ketë përfshirje më të madhe ndërinstitucionale dhe të rritet investimi. Investimi tek të rinjtë gjithmonë ka kthim imediat dhe të shumëfishtë…Kemi filluar punën për një dokument strategjik, ku në qendër është jo sektori rinor, por i riu. I riu i cili kërkon punë, kërkon drejtësi, mirëqenie dhe siguri dhe janë institucionet tona që kërkojnë vizion dhe qëndrueshmëri. Strategjia është menduar pikërisht për këtë qëllim, të na tregojë shtegun drejt zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë të rinjtë tanë pa dallim”, ka thënë ai.
Koordinatorja e UNKT-së, Arnhild Spence tha se ky dokument është me rëndësi për hartimin e politikave të reja, duke shtuar se përfshihen edhe nevojat e të rinjve.
“Kam përshtypje shumë të mira për këtë dokument dhe mënyrën se si keni artikuluar këtë në mënyrë shumë konstruktive, për zgjidhje për situatën e të rinjve që janë në Kosovë, nevojat e tyre dhe shpresat e tyre. Me qenë i ri nënkupton të gjitha aspektet e shoqërisë, politikat, të gjitha aspektet ndikojnë në jetën tënde. Jemi përballur me këtë lloj situate, ku diku 50 për qind e njerëzve që jetojnë në Kosovë janë të rinj, çka është një fuqi, i jep potencial të madh këtij vendi. Dhe kjo është në kërcënim, siç e thatë të rinjtë po largohen nga Kosova. Ne nuk e dimë sa, sepse nuk kemi pasur mundësi që të numërojmë njerëzit që largohen nga Kosova që nga viti 2011. Po shpresojmë që përmes këtyre politikave që të arrijmë të adresojmë këto problematika dhe këtë faktor që i motivojnë njerëzit”, ka thënë Spence.
Në prezantimin e sfidave të të rinjve, konsulentja për zhvillim social, Engji Susuri ka treguar të dhënat nga mbi 300 përgjigje të qytetarëve.
Madje ajo ka treguar për sfidat kryesore.
“Kjo është renditja sa i përket sfidave specifike. Numër 1 e kemi shëndetin mendor, për të vijuar më pas me qasjen në arsimin cilësor, numër 3 është qasja në punësim, pastaj kemi ngacmimet seksuale dhe dhunën në bazë gjinore. Në vendin e gjashtë është liria e shprehjes, në vendin e shtatë është përfshirja e personave me aftësi të kufizuara, në vendin e tetë është siguria publike, për të vijuar me cilësinë e punës dhe qasjen në punë praktike”, ka përfunduar Susuri.
Strategjia shtetërore për rini ka për synim përmirësimin e situatës së të rinjve të grup-moshave 15-24 vjeç. Po ashtu, kjo strategji synon të nxitë bashkëpunimin ndërmjet organizatave rinore, veprimtaria e të cilave lidhet me rininë, si dhe ndërmjet organizmave qendrorë dhe atyre komunal për të fuqizuar politikat dhe programet rinore.