Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet edhe sot dëshmia e dëshmitarit të katërt të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 4748 ka filluar të merret në pyetje më 10 maj, ndërsa e gjithë dëshmia e tij ka vijuar në seancë private.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e tre dëshmitarëve të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.