Me iniciativën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, e cila pritet të nis në ora 12:00.
Temë e kësaj seance pritet të jetë procesi i përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Nesër nga ora 12:00/h, në emër të 41 deputetëve të opozitës kemi ftuar Seancë të Jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të trajtuar keqpërdorimet e rreth 11 milion eurove të faljes së kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalanzhuese të ujit nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, për të cilin rast tashmë ka edhe të arrestuar, e procesi është nën hetime penale. Në këtë seancë, domosdoshmërisht do të trajtohet edhe udhëheqja e kundërligjshme e sistemit tonë energjetik nga Dejona Mihali”, ka shkruar ai dje në një postim në Facebook.






