Në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, Qendra Kryesore Mjekësore Familjare “Dr. Vezir Bajrami”, në Komunën e Shtimes është bëtë me pajisjen e mamografit. Kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu ka siguruar donacion edhe nga një kompani, nga e cila të gjitha gratë që paraqiten në QKMF-në, do të ketë për një vit analizat dhe ekzaminimet falas në kuadër të diagnozës që kanë.
Po ashtu, Aliu ka bërë të ditur se në QKMF do të risjellë radiologun, shërbimet gjinekologjike dhe së shpejti do të ketë marrëveshje me institutin e anatomisë patologjike në Spitalin e Ferizajt që të kryhet PAP test, e cila diagnostikon në zanafillë kancerin e qafës së mitrës.
“Për të gjitha gratë tashmë të diagnostifikuara me kancer gjiri, e kemi siguruar edhe një donacion nga kompania “Avicena”. Të gjitha gratë për një vit të gjitha analizat dhe ekzaminimet qe do të kenë nevojë këto zonja, t’i kryejnë në kuadër të diagnozës që kanë, mund ti marrin falas nga kompania “Avicena”, duke u lajmëruar në QKMF. Do të diagnostikohen që në zanafillën e tyre, përmes mamografit duke ri sjellë radiologun prapë në komunën e Shtimes, shërbimet gjinekologjike, shumë shpejt do të kemi marrëveshje mes QKMF si dhe Institutit të Anatomisë Patologjike në spitalin e Ferizajt që edhe PAP test, që është një nga analizat qe e diagnostikon, në zanafillë kancerin e qafës së mitrës, të kryhet në komunën e Shtimes”, ka thënë Aliu.
Ndërsa, iniciatori për këtë donacion, deputeti i LVV-së, Dritan Hyseni bën thirrje të shfrytëzohet aparati dhe të sensibilizohet opinioni, që të testohen me qëllimin nëse ka ndryshim në organizmin e tyre, të evidentohet në fazat e hershme dhe të trajtohet me kujdesin maksimal.
“Urojmë që ky aparat të nxjerr vetëm rezultate negative. Bëj thirrje të shfrytëzohet aparati, të sensibilizohet opinioni, që sa më shumë gra të Shtimes, të zonave përreth të vinë dhe testohen, me qëllim që edhe nëse ka ndonjë ndryshim në organizmin e tyre, të evidentohet në fazat e hershme dhe të trajtohet me kujdesin maksimal”, ka shtuar Hyseni.
Po ashtu, donatori i kompanisë “Medica” për pajisjen e mamografit, Adrian Ukelli është shprehur se me këtë pajisje, pacientët do të kenë një jetë më të mirë dhe po ashtu familja do të ketë anëtarin më gjatë pranë familjes.
“Sot morra vesh që ky është aparati i parë, për herë të parë në Komunën e Shtimes, duke marrë parasysh se kanceri i gjirit është një sëmundje në rritje, atëherë, ne po e marrim edhe një meritë për çdo rast i cili do të zbulohet në fazë të hershme në mënyrë që pacientëve të kenë një jetë më të mirë dhe po ashtu familja të ketë anëtarin më gjatë pranë familjes”, është shprehur Ukelli.
E drejtoresha e shëndetësisë në Komunën e Shtimes, Mimoza Salihu ka falënderuar kryetarin Aliu për mundësinë, kompaninë “Medica”, “Avicenën” dhe të gjithë mjekët në këtë QKMF për punën e tyre të pa lodhshme.
Pas pranimit të pajisjes së mamografit, kryetari Qemail Aliu së bashku me mjekët e QKMF-së, në shenjë sensibilizimi për ato që janë të prekura nga kanceri i gjirit, kanë ecur në rrugët e Shtimes. /kp