18.7 C
Pristina
E enjte, 19 Shtator, 2024

Kurti do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

PËRGATITI: ARTON HAMITI 

Zyra e Kryeministrit konfirmoi se shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 19 shtator në Bruksel.

Në takim, ku janë ftuar udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të diskutohet për agjendat e reformave dhe rritjes, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani 6-miliardësh i Rritjes.

“Ky takim vjen në nisjen e mandatit të ri të kryetares së Komisionit Evropian dhe shërben që ajo ta krijojë një opinion se si qëndron çështja me agjendën e reformave dhe për ta ndërtuar vizionin se si ta integrojë Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030.”, tha profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi.

Derisa, dreka e thirrur, mbahet dy ditë pasi në Bruksel dështoi të mbahet takimi trepalësh në nivel kryenegociatorësh, për të përfituar nga pakoja 6 miliardësh, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve.

Në këtë kontekst, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, përmendi dy skenarë të mundshëm.

“Këto janë takime multilaterale dhe është e vërtetë që Kosova dhe Serbia e kanë kushtin e njëjtë, sepse është edhe në aneksin e Ohrit dhe vendet që nuk e zbatojnë atë marrëveshje nuk do të kenë qasje në fondet e BE-së. Unë mendoj që ekzistojnë dy mundësi që të dyja vendeve t’u stopohet qasja në fonde të Bashkimit Evropian dhe e dyta që Kosova të njihet nga BE-ja, pra të pranohet e gjithë pakoja e reformave dhe kështu të gjitha vendet të ecin para drejt integrimit evropian.”, tha tutje Arifi.

Duke përmendur faktin se as takimet e djeshme të kryengociatorëve me ndërmjetësin evropian, Miroslav Lajçak, nuk shënuan progres, ekonomistët vlerësojnë se pagesat e para për Kosovën dhe Serbinë mund të vonohen.

“Parashihen 2 miliardë mjete që nuk kthehen dhe 4 miliardë kredi të buta. Krejt kjo shumë parashihet vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Mirëpo, më e dëmtuara nga ky plan do të dalë Kosova, sepse nuk ka progres në dialog me Serbinë dhe jemi vend i varfër që s’kemi të hyra tjera, s’kemi investime të huaja prandaj edhe pasojat do të jenë më të mëdha. Padyshim që kjo do të ndodhë sepse nuk shoh se do të ketë progres në dialog gjatë këtyre muajve, kur po jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe gjithë fokusi do të jetë në zgjedhje dhe nuk pres progres, sikurse dje që nuk pati”, deklaroi ekonomisti Lavdim Hamidi.

Ndryshe, secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, bazuar në rekomandimet paraprake të BE-së. Agjenda është dorëzuar nga pesë vende të rajonit, përjashtuar Bosnjë e Hercegovinën.

Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian.

Bazuar në një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë rreth 900 milionë euro nga Plani i Rritjes./atvlive.tv/

Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA