Diaspora kosovare e shpërndarë në shumë vende të Evropës dhe me tej, ka një ndikim të rëndësishëm në Kosovë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në zhvillimin kulturor.
Raportet e diasporës me vendin e origjinës janë shpesh të ndikuara nga dallimet në perspektiva, në mënyrën e jetesës dhe parimeve që i përfaqësojnë.
Në edicionin e parë të sezonit të ri të emisionit “Libero” u trajtua pikërisht tema e rolit të diasporës në shoqërinë kosovare.
Një prej dallimeve kryesore që vihet në pikëpyetje është ai se “A jemi ne ata dhe a janë ata ne?”.
Gazetari Viktor Buzhala ishte njëri nga të ftuarit e këtij edicioni i cili tregoi që diaspora ka rol të veçantë në ekonomi, por që sipas tij duhet të ndikoj po ashtu edhe në aspektin e civilizimit.
“Diaspora është shpirti i ekonomisë tonë. Por, çka pritet prej diasporës? Nga diaspora pritet që kur të vijnë këtu, na të importojmë nga ata civilizim, domethënë një qytetar i yni që jeton në Gjermani, le të vjen dhe të sillet si gjerman e të na tregon pak kulturë gjermane këtu, e jo e kundërta”, u shpreh ai.
Ai theksoi po ashtu që është e çuditshme se si qytetarët evropian shfrenohen dhe nuk tregojnë civilizim gjatë qëndrimit në Kosovë.
Kultura e diasporës është shpesh më e ndikuar nga ambienti ku ata jetojnë, duke krijuar një identitet të përzier që ndonjëherë nuk përputhet plotësisht me atë të Kosovës. Kjo gjë ka kontribuar në mënyrë që disa emigrantë të ndjejnë se ata janë “të huaj” në vendin e prejardhjes. Por në anën tjetër, shumica e familjeve emigrante janë të lidhur ngushtë me Kosovën përmes ruajtjes së traditave dhe kulturës së përgjithshme që na karakterizon si popull.
E pikërisht kjo po i bën ata shpeshherë të shquhen si mbajtës së zakoneve tradicionale. Kjo shihet qartë gjatë sezonit veror kur ata zgjedhin që pushimet e tyre vjetore t’i kalojnë në Kosovë.
Ndonëse ky komunitet dhe ardhja e tyre këtu ka kontribuar historikisht në zhvillimin ekonomik të vendit, mërgimtarët shpesh hasin vështirësi në përshtatjen me ndryshimet e shpejta sa i përket zhvillimit intelektual dhe kulturës moderne që po ndodhin në Kosovë dhe lenë vend për keqkuptime mes diasporës dhe vendaseve.
Kjo ndonjëherë krijon një ndjesi tensioni duke nxitur më tej përplasje të panevojshme.
Raportin dhe keqkuptimet mes të dyjave palëve, Fjolla Hajrizaj e ftuar në ketë diskutim i sheh si çështje të cilën kontribuojnë pikërisht të dyja palët. Sipas saj këto keqkuptime ndodhin sepse ne i japim hapësirë, duke harruar të fokusohemi në mbajtjen e raporteve të mira.
“Nëse ne i lëmë hapësirë më shumë mallit dhe dashurisë që kemi ndaj tyre, falënderimit dhe mirënjohjes për kontributin që ata e japin tek ne, i lënë keqkuptimet në rend të dytë. Është viti 2024, nuk duhet të ndeshemi me probleme si “ I thash e më tha” sepse tregojnë shumë për neve si popull. Tash na është ofrua mundësia që mundemi me shku me e pa jetën që po e bëjnë ata, storjet nuk janë më të një-anshme , tash mund ta kemi një pikturë më të qartë se si jetojnë, si janë ata në raport me kulturën e vendit pritës, sa nga ajo kulturë na sjellin neve dhe sa ata marrin ata nga kultura jonë, qysh ne e plotësojmë njëri-tjetrin në këtë mozaik”, tha mes tjerash Hajrizaj.
Ndërkohë, ekonomisti Safet Gërxhaliu theksoi se vitet e fundit po shihet një frymë e re e avancimit të individëve që jetojnë në vendet evropiane.
“Unë për vete, kur shkoj sot nëpër universitete evropiane, nëpër banka në Zvicër, nëpër kompani të sigurimeve, spitale, është krenari t’i dëgjosh dhe kontaktosh me shqiptarët. Këta njerëz janë përshtatur me ambientin ku jetojnë dhe definitivisht ta zbardhin ftyrën, por në anën tjetër, kur janë në Kosovë, rrethi i tillë ndikon në sjelljen e tyre”, theksoi Gërxhaliu.
Gjatë këtij emisioni u diskutua edhe për hapësirën mediale që po i jepet diasporës gjatë sezonit të verës, me ç ‘rast shumë deklarata të thëna nga vet qytetarët që vijnë nga diaspora, po bëhen shumë të klikuara dhe po (keq)interpretohen nga mediat.
E për këtë çështje ka reaguar Mirjeta Dervishi, e cila ka vite që jeton jashtë Kosovës. Në një lidhje të drejtpërdrejt nga Gjermania gjatë transmetimit të emisionit, në diskutim me të ftuarit në studio, ajo tha se (mërgimtarët po shfrytëzohen për klikime dhe po bëhet një padrejtësi në trajtimin e tyre, të cilët shkaku i mos njohjes së gjuhës po bëhen pre e meme-ve në rrjetet sociale.
Për të shikuar emsionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm: