Ish-prokurori që udhëhoqi hetimet ndaj Miloseviqit vjen në Kosovë

Masakra e Dubravës është mirë e njohur për prokurorin që kishte udhëhequr hetimet në gjykimin ndaj Slobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice.

Ish-prokurori kryesor në këtë rast, teksa përmend arsyet se pse në atë Tribunal nuk kishte mundësi ta hetonin këtë masakër, pret që këtë ta bëjë tani Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ai nuk sheh pengesa që këtë të mos e bëjë ZPS-ja, meqë thotë Serbia se bashkëpunon me Gjykatën Speciale.

“Nëse ka pretendime për burgun e Dubravës, kjo mund të jetë shumë interesante. Në Tribunalin e Hagës, ne na mungonte kjo. Në një rast aq të madh, ju mungojnë shumë gjëra. Por, ne nuk arritëm të shfrytëzojmë dëshmi që ishin të qasshme për ne, që dëshmuan se kur rojet e rregullta të burgut u larguan dhe u zëvendësuan me forcat speciale që kryen masakrën, mund të ketë qenë kundër instinkteve të duhura të guvernatorit të burgut, i cili ishte përgjegjës për ruajtjen dhe kujdesin e atyre që kishte nën menaxhim. Me sa mbaj mend, kishte dëshmi se ai ishte larguar përkundër vullnetit të tij. Tani, është logjike që instruksionet për t’i liruar rrugën forcave speciale, mund të ketë ardhur vetëm nga dikush nga niveli ministror, apo nga niveli më i lartë”, tha Nice.
Ish-prokurori britanik, i cili kishte marrë pjesë në negociatat për statutin e Gjykatës Speciale, thotë se Kosova ka pasur procese të imponuara sa u përket hetimeve të krimeve të luftës, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Kosova ka përfituar apo ndoshta edhe ka pësuar nga një sërë organizatash të ndryshme ndërkombëtare, që kanë hetuar krimet e supozuara të luftës dhe kanë dalë me qëndrime për to. Kosova kurrë nuk ka qenë në një pozitë që të thotë se ne duam t’i trajtojmë këto çështje në këtë mënyrë. Ajo ka pasur procese të imponuara. Ashtu siç tani i janë imponuar Dhomat e Specializuara në Hagë”, tha Nice.
Rreth procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve ai refuzon të japë komente.

“Unë nuk ia kam fare idenë se cilat janë dëshmitë kundër Thaçit dhe të tjerëve. Me sa e di, të gjitha dëshmitë deri më tani janë dhënë në seanca të mbyllura. Kush e di pse? Ndoshta sepse kishte diçka shumë të rëndësishme dhe të fortë, apo ndoshta për ndonjë arsye tjetër, dëshmitë nuk zbuluan asgjë? Nuk e di, por nuk kam mendim për këtë. Është shumë e lehtë të konkludohet se Dhomat e Specializuara janë krijuar nën presion, për t’u shërbyer qëllimeve të pazbuluara politike. Por kush e di, mund ta kem gabim për këtë. Ky tribunal sigurisht se duket se po u shërben interesave të Serbisë. A u shërben interesave të ndokujt tjetër? Nuk e di”, tha Nice.

Ish-prokurori në Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice, pas katër vitesh ka ardhur sërish në Kosovë. Këtë herë, Nice ka qëndruar në Prishtinë për të trajnuar prokurorë e gjyqtarë të Departamenteve Speciale të Gjykatës e Prokurorisë në Kosovë.

Nice me kërkesë të ish-presidentit Hashim Thaçi ishte përfshirë në negociata për themelimin e Speciales.

Gjithashtu, më vonë ai me kërkesë të Thaçit ishte paraqitur si avokat në faza të hershme për tre persona të ndryshëm. /atvlive.tv

Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA