Përgatiti: Armand Hoti
Shteti synon t’ua lehtësojë mërgimtarëve biznesmenë investimin në Kosovë.
“Dritarja për Investime të Diasporës”, që u lansua të martën, do t’u mundësojë ndërmarrësve mërgimtarë, marrjen e kredive në bankat vendore, për të investuar në atdhe.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se me funksionalizimin e projektit financiar, investitorët mërgimtarë do të kenë garanci në përfitimin e kredive.
“Kur kanë ardhur këtu dhe kanë tentuar të qasen në financa në një bankë lokale, problematika ka qenë se si biznes i diasporës nuk kanë pasur historik kreditor në Kosovë, dhe janë trajtuar si biznese start up-e, pa historik… Ideja ka qenë që të krijohet një instrument, një dritare e re, përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore, me kapital shtesë edhe nga Qeveria të mundësojë garantimin e këtyre kredive”, tha Murati.
Nisma inovative parasheh krijimin e një fondi kreditimi deri në 100 milionë euro.
Deri në tre milionë euro kredi, është vlera për të cilën investitorët do të mund të aplikojnë. Pjesëmarrja e tyre në kapital, do të duhet të jetë së paku 20% e vlerës.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të japë garanci kreditore deri në dy milionë euro, nëse investitori i përmbush kriteret.
Kryeministri Albin Kurti thekson se “Dritarja për Investime të Diasporës”, do ta orientojë potencialin e mërgimtarëve në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në një linjë më direkte.
“Po krijojmë mundësi që ta shndërrojmë mërgatën tonë nga investitorë pasivë, në instrumente financiare dhe tërthorazi të mbështetet zhvillimi i vendit, në investitorë aktivë që investojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Kurti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia shtrin Kosovës dorën e mbështetjes edhe në këtë projekt.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka ndihmuar në themelimin e kësaj dritare të re investuese përmes mbështetjes financiare dhe teknike nga USAID, sepse ne e kuptojmë atë që kryeministri Kurti tha: mundësinë e radhë që bizneset nga diaspora prezantojnë”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Mërgata e Kosovës, ndër vite ka investuar kryesisht në sektorin e patundshmërisë.