Përgatiti: Nora Luta
Për të dytën ditë me radhë ka dështuar të mbahet seanca në rastin “Toka”.
Këtë herë shkak u bë mungesa e Shaban Sylës, i cili një ditë më parë erdhi pa avokat.
E kur mendohej se rasti do të merrte epilog brenda këtij muaji, pasi ishte planifikuar fjala përfundimtare, ai rrezikon të kthehet nga fillimi.
Mospajtimet mes mbrojtjes për një datë të re gjatë korrikut, bëri që gjykata të caktojë seancën në shtator, ndonëse vetë kryetari i trupit gjykues tha që rasti rrezikon të stërzgjatet.
Edhe herën e fundit kur gjykimi ishte gati të përfundojë, nisi nga fillimi kur kryetari i trupit gjykues, në atë kohë Beqir Kalludra, u avancua në Apel.
E më pas seancat nuk ishin caktuar pas një periudhe të gjatë.
Për rastin që u përcoll me zvarritje, aktakuza u ngrit në vitin 2016 nga prokurorë të EULEX-it.
Mungesa e palëve gjatë seancave, e deri te ankesat e avokatëve për shkresat e lëndës, e karakterizuan rastin, i cili nga viti 2022 po gjykohet nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Arben Hoti, dhe anëtarët Mentor Bajraktari e Lutfi Shala.
Shoqëria civile përmend disa nga mekanizmat, që, sipas saj, gjykata mund t’i shfrytëzojë për ta shmangur zvarritjen.
Sipas GLPS-së, dështimi për të sjellë një epilog në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, ka efekt negativ në sistemin gjyqësor.
Azem Syla, dhe të tjerët, po gjykohen ndër të tjera për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, e legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar.
Sipas aktakuzës, ata përvetësuan prona shtetërore te personat fizikë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 30 milionë euro.
Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, rasti është ndarë në dy procese.