Përgatiti: Arton Hamiti
Zjarri në këtë zonë perëndimore të Suharekës u shua në mëngjesin e së martës, falë intervenimit të zjarrfikëseve.
Në fakt, zjarri te “Malet e Cerit” që njihet ndryshe, në trekëndëshin Rahovec – Suharekë – Malishevë, ishte më seriozi me të cilin u përballën zjarrfikësit.
“Aty ekipi ynë i zjarrfikësve u përball prej dje gjer më sot në mëngjes, që kemi arritur ta shuajmë. Aty ka qenë zjarri më seriozi me të cilën jemi sfiduar kohëve të fundit. Por duhet theksuar se siç duket qytetarët janë vetëdijesuar dhe më nuk ka zjarre aq të mëdha, duke marrë parasysh temperaturat e larta”, tha komandanti i Njësisë Shpëtuese dhe Zjarrfikëse, Vehbi Krasniqi.
Por, zjarrfikësit suharekas nuk dihet sa do t’ia dalin nëse komuna përballet me një situatë kritike sikurse para 3 vjetëve kur në të njëjtën kohë ishin aktive 5 vatra zjarri.
“Jemi një staf shumë i vogël, faktikisht kemi 11 zjarrfikës dhe neve aktualisht jemi vetëm 2 zjarrfikës në ndërrim, vetëm 2 pra”, tha Krasniqi.
Teksa apeloi qytetarët që në këto temperatura të larta të kenë kujdes të shtuar, kryetari Bali Muharremaj tha se shtimi i numrit të zjarrfikësve nuk është në kompetencën e tij.
“Ju e dini që zjarrfikësit janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë disa vende vakante edhe është e pamundur me i plotësua. Neve në aspektin ligjor nuk kemi bazë ligjore me shpallë konkurse presim prej tyre. Janë 4 vende të lira me u plotësua”, tha Muharremaj.
Ndërkaq, komandanti i zjarrfikësve e ka një propozim tjetër.
“Vite më parë kemi marrë punëtor sezonal dhe na kanë ofruar një ndihmë të mirë”, tha Krasniqi.
Megjithatë, as kjo mundësi nuk ekziston, sipas kryetarit Bali Muharremaj.
“Më herët kemi marrë punëtorë çdo verë ka 10 por, tash me disa rregullore të reja nuk na e mundëson ligji”, tha Muharremaj.
Derisa, stafi i zjarrfikësve me gjasë nuk do të shtohet, Komuna e Suharekës nga java tjetër për intervenime në objekte të larta do ta ketë në shërbim edhe një kamion.





