Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Aktivistë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë që iu bashkua pushtetit për qeverisje në kryeqytet të hënën, po e kritikojnë mënyrën e koalicionit mes AAK-së dhe LDK-së.
Visar Dili nga dega e AAK-së në Prishtinë, thotë se anëtarët e partisë nuk ishin të njoftuar për lëvizjet që po bëheshin për koalicion, pasi për këtë marrëveshje u dakorduan vetëm kryetarët e të dy partive.
“Asnjë njoftim zyrtar, të gjitha i kanë bërë vetëm biseda mesnate, të nesërmen veçse u dha lajmi, ne si anëtarë aty besoj që duhet të kemi drejt përfshirjen…”, tha Dili.
Derisa nuk pret ndonjë rezultat, Dili thotë se AAK-ja do të njolloset nga mospuna e LDK-së, gjatë 3 vjetëve qeverisje në Prishtinë.
“Krejt çka ka mu përfitua kanë me na thanë edhe ju jeni kanë qaty, edhe ju keni bo kështu, kanë me na u ngjitë të gjitha ato tiparet negative, pavarësisht që koalicioni u bë vonë…”, tha Dili.
Por nga komuna e Prishtinës shprehen optimist se kjo lidhje do të ndikojë pozitivisht në votimin e projekteve që kanë mbetur pezull në mungesë të votave.
Nga 17 sa kishte më parë, tash LDK-ja ka edhe 5 anëtarë më shumë nga AAK-ja.
“Po prapë ne jemi duke u mundu me ju tregu që ka shumë projekte të rëndësishme për qytetarët që nuk kanë kalua, e kemi planin zhvillimor të kryeqytetit…”, tha Dili.
Pavarësisht kësaj, partia në pushtet ende nuk e ka arritur përkrahjen e shumicës së asamblistëve.
Kështu opozita ka 7 anëtarë më shumë se LDK-ja.
Aktualisht, 4 ndërmarrjet publike, “Trafiku Urban”, “Pastrimi”, “Gjelbër” dhe “Ndërmarrja Publike Banesore” udhëhiqen nga kryeshefa të cilët i përkasin PDK-së, partisë që dha dorëheqje nga koalicioni me LDK-në, në shkurt të këtij viti.
Për këtë pjesë, Lushaku tha se të paktën deri në këtë fazë s’ka diçka konkrete, nëse do të bëhet emërimi i të tjerëve.





