Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange pritet të pranojë fajësinë këtë javë, se ka shkelur Aktin e Spiunazhit të Shteteve të Bashkuara, një marrëveshje që do t’i jepte fund burgosjes së tij në Britani dhe do ta lejonte të kthehej në Australi, duke i dhënë fund një odiseje të gjatë ligjore, përcjell atvlive.tv.
52-vjeçari Assange ka rënë dakord të pranojë fajësinë për vetëm një pikë të aktakuzës, atë të komplotit për të siguruar dhe publikuar dokumente sekrete të mbrojtjes amerikane, sipas dosjes së depozituar në gjykatë.
Sipas mediave britanike dhe amerikane, seanca do të mbahet nesër në Gjykatën e Qarkut të Ishujve Mariana të Veriut, nga territori amerikan pranë brigjeve aziatike të Oqeanit Paqësor.
Assange doli nga burgu Belmarsh në Britani të Madhe të hënën mbrëma, thuhet në një postim të WikiLeaks në rrjetin social X.
Procesi i gjyqit të Assange
WikiLeaks, i themeluar nga Julian Assange, publikoi 251 mijë dokumente sekrete që vërtetojnë krimet e kryera nga SHBA-ja në Irak dhe Afganistan më 28 tetor 2010.
Assange u arrestua më 11 prill 2019. Nga Ambasada e Ekuadorit në Londër, ku u strehua në qershor 2012 dhe u arrestua për “shkelje të kushteve të lirimit me kusht” u dërgua në burgun Belmarsh në Londër. Gjykata vendosi që Assange, i dënuar me 50 javë burg, të mbetet i paraburgosur pas përfundimit të dënimit në kuadër të kërkesës për ekstradim.
Gjykata e Lartë më 10 dhjetor 2021 vendosi se Assange mund të ekstradohet në SHBA. Pasi Gjykata e Westminsterit vendosi për ekstradimin e tij më 20 prill 2022, atëherë Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel nënshkroi vendimin për ekstradimin e Assange në SHBA më 17 qershor 2022.
Avokatët e Assange apeluan në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin më 1 korrik 2022. Seancat dëgjimore për çështjen e ekstradimit të Julian Assange në SHBA u zhvilluan në Gjykatën e Lartë në datat 20-21 shkurt dhe u theksua se vendimi do të jepej më vonë.
Më 26 mars, gjykata vendosi që Assange të mos ekstradohet në SHBA nëse nuk jepeshin garanci të caktuara nga SHBA-ja.
SHBA-ja dha një garanci për “mos ekzekutim”
Nga SHBA-ja u kërkua garanci, si për shembull që Assange të mos dënohej me vdekje dhe t’i jepej një gjykim i drejtë, në të kundërtën thuhej se Assange mund të apelonte për heqjen e paraburgimit.
Gjykata Supreme kishte njoftuar se pas dhënies së garancive do të vendoste nëse ato ishin të mjaftueshme apo jo. Ndërsa SHBA-ja njoftoi në prill se do të jepte garancitë e kërkuara, Stella Assange deklaroi se burri i saj nuk do të kishte disa të drejta sepse nuk ishte shtetas amerikan.
Avokatët dhe mbështetësit e Assange thonë se ai mund të dënohet deri në 175 vjet burg nëse ekstradohet në SHBA. Pala amerikane pretendon se dënimi me burg mund të jetë nga 4 deri në 6 vjet. /atvlive.tv







