Përgatiti: Fatlum Jashari
Takimi i së mërkurës, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, sipas deputetit të LV-së, Armend Muja, mund të qartësojë nëse ka ose jo marrëveshje ndërmjet dy shteteve.
Në këtë kontekst ai listoi shkeljet nga Serbia të dy dokumenteve të dakorduara në Shkurt dhe Mars të vitit të kaluar.
“Kosova është në një moment të definimit nëse vërtet ka marrëveshje sepse më 28 shkurt të vitit 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër dhe pastaj vit pas viti, masë pas mase Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve”, tha Muja.
Pa një kryeministër të ri, deputeti i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri nuk pret diçka të re nga takimi i radhës i nivelit të lartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Vendit tonë i duhet një qeveri e re. Tash e dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi pa është vetëmenaxhimi, marrëveshja e Brukselit e vitit 2022 dhe aneksi i Ohrit që janë jashtëzakonisht të dëmshme, është draft statuti i cili tash është në tavolinën e kryeministrit të Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare i kërkohet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tahiri.
Krahas thirrjes që qeveria të jetë më e përgjegjshme në raport me dialogun dhe partnerët ndërkombëtar, deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, pati kritika për mungesë transparence.
“Ekziston një rezolutë në fuqi që Qeveria duhet të raportojë para dhe pas çdo raundi të bisedimeve është tregues i qartë në atë që kemi pas vërejtje në vazhdimësi. Vet vizita e heshtur ose tentimi që të heshtet vizita e Lajçakut është prodhim i takimit Kurti-Vuçiq”, tha Zemaj.
Takimi i 26 Qershorit, Kurti-Vucic, nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajcak, do të jetë i pari në kuadër të dialogut pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë.
Më 18 Qershor, emisari Lajcak njoftoi se do të bëjë një vlerësim për nivelin e konstruktivitetit të Kosovës dhe Serbisë në dialog – si parakusht që ato të përfitojnë nga Plani 6-miliardësh i Rritjes – teksa është paralajmëruar që shpërndarja e fondeve të nisë muajin e ardhshëm.